Barcelona ka ndërtuar një repart ofensiv që në letër konsiderohet ndër më të frikshmit në Evropë për sezonin 2026/27.
Me afrimet e Karim Adeyemit dhe Anthony Gordonit, si dhe me praninë e Lamine Yamalit, Raphinhas dhe Ferran Torresit, trajneri Hansi Flick ka në dispozicion një arsenal sulmues që synon ta rikthejë klubin në majën e Evropës dhe të fitojë Ligën e Kampionëve për herë të parë që nga viti 2015.
Megjithatë, treshja Karim Adeyemi, Lamine Yamal dhe Raphinha shihet si kombinimi ideal në sulm. Shpejtësia, kreativiteti dhe efikasiteti para portës janë cilësitë që i bëjnë ata një kërcënim të vazhdueshëm për çdo mbrojtje.
Karim Adeyemi debutoi javën e kaluar me Barcelonën në ndeshjen miqësore ndaj Birmingham Cityt. Edhe pse paraqitja e tij nuk ishte spektakolare, drejtuesit dhe Hansi Flick besojnë se gjermani do të jetë një përforcim shumë i rëndësishëm.
24-vjeçari është një nga futbollistët më të shpejtë në Evropë, pasi sezonin e kaluar arriti një shpejtësi maksimale prej 36.7 km/h. Ai mund të luajë në të dy krahët e sulmit, si qendërsulmues apo edhe si “9 i rremë”, duke i dhënë Flickut shumë alternativa taktike.
Përveç shpejtësisë, Adeyemi sjell edhe përvojë të madhe në garat evropiane. Me Borussia Dortmundin ai ka zhvilluar 48 ndeshje në Ligën e Kampionëve, duke realizuar 14 gola.
Lamine Yamal vazhdon të jetë lojtari rreth të cilit ndërtohet loja sulmuese e Barcelonës. Me teknikën, driblimet, vizionin dhe pasimet e tij, 19-vjeçari mbetet pika kryesore e repartit ofensiv.
Kampioni i botës me Spanjën zhvilloi një tjetër sezon të jashtëzakonshëm, duke regjistruar 24 gola dhe 17 asistime në 43 ndeshje në të gjitha garat.
Yamal është lojtari që krijon epërsi numerike, thyen mbrojtjet kundërshtare dhe furnizon vazhdimisht bashkëlojtarët me raste shënimi.
Nëse Yamal është organizatori i sulmeve, Raphinha konsiderohet realizuesi kryesor i Barcelonës.
Braziliani vazhdon të jetë një nga lojtarët më vendimtarë të skuadrës, falë instinktit para portës dhe aftësisë për të shfrytëzuar çdo hapësirë në zonën kundërshtare.
Edhe pse u përball me lëndime sezonin e kaluar, ai realizoi 17 gola dhe dhuroi gjashtë asistime në 31 ndeshje.
Përveç statistikave, Raphinha ka rol të rëndësishëm edhe në fazën mbrojtëse, pasi është një nga liderët e presingut të lartë që kërkon Hansi Flick.
Treshja që mund ta rikthejë Barcelonën në majën e Evropës
Sipas analizave, Adeyemi, Yamal dhe Raphinha plotësojnë në mënyrë perfekte njëri-tjetrin. Gjermani ofron shpejtësi dhe depërtime, Yamal kreativitet dhe pasime vendimtare, ndërsa Raphinha efikasitet para portës.
Me këtë treshe, Barcelona beson se mund të ndërtojë një sulm të aftë për të rivalizuar me klubet më të mira të kontinentit dhe për të realizuar objektivin kryesor të sezonit: fitimin e trofeut të gjashtë në Ligën e Kampionëve./Telegrafi/






