Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se partia e tij nuk synon të marrë pozitën e kryetarit të Kuvendit, duke argumentuar se kjo pozitë duhet t’i takojë partisë së parë, në përputhje me Kushtetutën.
Pas takimit rreth tri orësh me kryeministrin në detyrë dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Abdixhiku tha se, nëse deri më 6 gusht nuk arrihet një marrëveshje, procesi i konstituimit të Kuvendit duhet të vazhdojë.
“Nëse deri më 6 gusht s’kemi marrëveshje, i kemi thënë të vazhdojë konstituimi. LDK-ja s’ka apetit për kryetar të Kuvendit, sepse është figurë ceremoniale e cila duhet të përfaqësojë propozimin e partisë së parë, siç e thotë edhe Kushtetuta. Për çështje të tjera, kemi afat kohor shtesë. Sa më herë të bëjmë zgjidhje, aq më mirë”, ka thënë Abdixhiku.
Ai e ka vlerësuar takimin me Kurtin si të mbarë dhe ka bërë të ditur se LDK-ja është e gatshme që diskutimet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Abdixhiku ka theksuar se partia e tij ka hyrë në këto diskutime me vullnet të mirë, duke respektuar rezultatin zgjedhor dhe me synimin për të shmangur zgjedhjet e reja.
Takimi mes Kurtit dhe Abdixhikut është zhvilluar në kuadër të përpjekjeve për tejkalimin e ngërçit politik dhe krijimin e një marrëveshjeje që do t’i hapte rrugë konstituimit të institucioneve të reja. /Telegrafi/






