Gjenerata Z kritikon Christopher Nolan për rolin e Zendayas në “The Odyssey”: Athena u reduktua në një figurë dytësore

Magazina

Pas publikimit të filmit të shumëpritur “The Odyssey”, regjisori fitues i çmimit Oscar, Christopher Nolan, është përballur me kritika në rrjetet sociale nga një pjesë e fansave të rinj, të cilët kanë ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si janë trajtuar personazhet femra në epikën e tij të re. Debati është përqendruar veçanërisht te roli i […]

Madhësia e shkronjave

Pas publikimit të filmit të shumëpritur “The Odyssey”, regjisori fitues i çmimit Oscar, Christopher Nolan, është përballur me kritika në rrjetet sociale nga një pjesë e fansave të rinj, të cilët kanë ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si janë trajtuar personazhet femra në epikën e tij të re.

Debati është përqendruar veçanërisht te roli i Zendaya si perëndesha Athena. Disa përdorues të TikTok-ut kanë pretenduar se personazhi i saj është reduktuar në një rol shumë të vogël, pavarësisht rëndësisë që Athena ka në veprën origjinale të Homerit.

Në mitologjinë greke, Athena është një nga figurat kryesore që ndihmon Odiseun gjatë udhëtimit të tij të gjatë drejt shtëpisë, shkruan DailyMail.

Megjithatë, sipas kritikëve në rrjet, versioni filmik i Nolanit i ka dhënë asaj pak kohë në ekran, ndërsa personazhe të tjera mashkullore kanë një rol më të zgjeruar.

Filmi, ku Matt Damon interpreton Odiseun dhe Anne Hathaway luan Penelopën, ka shkaktuar diskutime të shumta për zgjedhjet artistike të regjisorit.

Disa fansa kanë kritikuar gjithashtu trajtimin e personazheve të tjera femra, duke përmendur rolet e interpretuara nga Samantha Morton dhe Charlize Theron.

Kritikat janë përhapur kryesisht në TikTok, ku disa përdorues kanë akuzuar Nolanin se në filmat e tij personazhet femra shpesh shfaqen në funksion të historisë së protagonistëve meshkuj.

Megjithatë, regjisori ka një histori të gjatë me personazhe komplekse femra, ndërsa filmat e tij kanë marrë vlerësime të shumta nga kritika dhe publiku ndër vite.

Debati për “The Odyssey” vjen në një kohë kur përfaqësimi i grave në kinematografi është bërë një nga temat më të diskutuara mes brezit të ri të shikuesve. /Telegrafi/