Nëse jeni adhurues i industrisë së automobilave, me siguri do të kujtoni se deri në fillim të viteve ’90, pothuajse çdo veturë franceze kishte fenerë kryesorë me dritë të verdhë.
Francezët mendonin për mundësinë e një lufte të re të madhe dhe në vitin 1936 miratuan një rregullore që përcaktonte se të gjitha dritat e automjeteve duhej të kishin këtë ngjyrë. Ndërkohë, gjermanët përdornin drita klasike, pra të bardha, kështu që në rrugë do të ishte më e lehtë të dallohej se kush ishte armik dhe kush ishte “i yni”.
Ky rregull mbeti në fuqi deri në vitin 1993, kur Franca u detyrua të përshtatej me standardet e Bashkimit Evropian. Që atëherë, të gjitha automjetet e reja kaluan në dritat e bardha që përdoren sot. Vetëm automjetet klasike (oldtimer) lejohen ende të kenë drita të verdha, nëse ato janë vendosur në fabrikë si pajisje origjinale.
Interesant është fakti se dritat e verdha kanë gjatësi vale më të madhe krahasuar me dritat në nuanca blu ose vjollcë. Për këtë arsye, ato janë shumë më efikase në kushte kur errësira kombinohet me mjegull, borë ose shi. Drita depërton më mirë dhe ka më pak reflektime nga sipërfaqja e rrugës.
Pikërisht për këtë arsye, disa prodhues automjetesh vazhdojnë të përdorin dritën e verdhë për dritat e mjegullës. Gjithashtu, për një kohë të gjatë është pretenduar se dritat e verdha janë më të rehatshme për sytë e drejtuesve që vijnë përballë, por kjo teori nuk është vërtetuar plotësisht.
Me futjen e llambave halogjene filloi rënia e përdorimit të dritave të verdha, pasi ato kërkonin filtra të veçantë që reduktonin efikasitetin e tyre deri në 25 për qind në kushtet e natës.
Krahasuar me dritat e verdha, fenerët modernë ofrojnë ndriçim më të pastër dhe më të fuqishëm. Për këtë arsye, dritat e reja “të bardha” janë bërë standardi i industrisë së automobilave sot. /Telegrafi/






