Hyundai ka paralajmëruar se prodhuesit kinezë të automjeteve mund të përbëjnë një kërcënim të madh për tregun amerikan nëse hiqen kufizimet ndaj importeve.
CEO i kompanisë, José Muñoz, tha se tregu amerikan mund të përballet me një situatë të ngjashme me atë të Evropës dhe Mbretërisë së Bashkuar, ku markat kineze kanë fituar terren.

Aktualisht, automjetet elektrike kineze përballen me tarifa të larta në SHBA, të cilat kufizojnë ndjeshëm hyrjen e tyre në treg.
Shqetësimet janë shtuar pasi presidenti Donald Trump ka shprehur gatishmëri që prodhuesit kinezë të ndërtojnë fabrika në Shtetet e Bashkuara dhe të punësojnë punëtorë amerikanë.
Edhe prodhuesit amerikanë Ford, General Motors dhe Stellantis kanë paralajmëruar për konkurrencën e mundshme nga kompanitë kineze.
Sipas Muñoz, avantazhi i kostove të ulëta të prodhuesve kinezë mund të ushtrojë presion të madh mbi industrinë amerikane të automjeteve. /Telegrafi/





