Gjashtë trupa janë gjetur deri tani gjatë gërmimeve në fshatin Kalludër e Vogël, në komunën e Zubin Potokut, ku dyshohet për ekzistimin e një varreze masive nga lufta e fundit në Kosovë.
Sipas burimeve të RTK-së, punimet e zhvilluara sot në zonën malore të këtij fshati kanë çuar në rritjen e numrit të trupave të gjetur në gjashtë.

Në vendin ku po zhvillohen gërmimet ka qëndruar edhe kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, i cili ka vizituar punimet dhe ka parë nga afër procesin e kërkimit.
Isufaj ka bërë të ditur se gërmimet kanë nisur dhe ka falënderuar institucionet e përfshira në këtë proces, me theks të veçantë Policinë e Kosovës, prokurorët e Prokurorisë Speciale dhe ekipet e Mjekësisë Ligjore.
Dyshimet për një varrezë masive në këtë zonë lidhen me periudhën e luftës në Kosovë, ndërsa procesi i gërmimeve po vazhdon për të zbardhur rrethanat dhe identifikimin e mbetjeve mortore të gjetura.





