Kombëtarja e Kroacisë u mposht 4-2 nga Kombëtarja e Anglisë në ndeshjen hapëse të Grupit L në Kupën e Botës, e zhvilluar në Arlington, në një duel me ritëm të lartë dhe plot emocione.
Anglia kaloi në epërsi që në minutën e 12-të me Harry Kane nga pika e bardhë, pas një situate të diskutueshme ku fillimisht Dominik Livaković priti penalltinë, por goditja u përsërit për shkak të daljes së tij të parakohshme nga vija e portës. Në përpjekjen e dytë, Kane ishte i saktë dhe shënoi për 1-0.
Kroacia reagoi në minutën e 36-të, kur Petar Sučić krijoi superioritet në krah dhe asistoi për Martin Baturinën, i cili realizoi një gol të bukur nga distanca për 1-1. Megjithatë, vetëm pak minuta më vonë, Anglia riktheu avantazhin. Declan Rice krosoi nga një goditje këndi dhe Kane shënoi me kokë për 2-1 në minutën e 42-të.

Drama e pjesës së parë nuk u ndal këtu. Në minutën e pestë të kohës shtesë, Kroacia barazoi sërish. Pašalić dërgoi një top të gjatë drejt Perišić, i cili e devijoi për Musën që shënoi nga afërsia për 2-2.
Në pjesën e dytë, Anglia mori kontrollin e ndeshjes. Jude Bellingham shënoi për 3-2 pas një reagimi të dobët të mbrojtjes kroate në fillim të fraksionit të dytë, ndërsa Marcus Rashford vulosi fitoren në minutën e 85-të për 4-2.
Pas ndeshjes, trajneri i Kroacisë, Zlatko Dalic, pranoi vështirësitë e skuadrës në pjesën e dytë dhe mungesën e reagimit në momentet vendimtare.
“Ishte e vështirë të riktheheshim në lojë,” deklaroi Dalic pas ndeshjes.
“Kjo ndeshje drejton rrjedhën e kampionatit, nuk është mirë kur e humbet. Dy ndeshjet e ardhshme janë shumë më të rëndësishme për ne dhe duhet të përgatitemi mirë. Nuk ishte keq nga ana jonë, por i paguam shtrenjtë gabimet tona”, tha ai.
“Ishim në formën tonë më të keqe në pushim, pësuam dy gola. Po ktheheshim, por goli i tretë na vrau. Pas kësaj, nuk kishte më kthim pas”, shtoi ai.
Kur u pyet nëse ishte i kënaqur me fazën sulmuese, ai u përgjigj: “Pati disa gjëra shumë të mira, por kundër Anglisë nuk mund të hapesh plotësisht. Mund ta shihje këtë në fund kur ata shënuan golin e katërt”, përfundoi Dalic. /Telegrafi/





