Ferran Torres, 26-vjeçari spanjoll, është zyrtarisht futbollist i ri i Paris Saint-Germainit, pasi Barcelona e finalizoi transferimin e tij të shtunën për rreth 50 milionë euro.
Sulmuesi ka nënshkruar kontratë me PSG-në deri në vitin 2031, ndërsa në deklaratat e tij të para si futbollist i klubit francez ka treguar edhe arsyet që ndikuan në vendimin për t’u larguar nga Barcelona.

Një prej faktorëve kryesorë ishte dëshira për të fituar Champions Leaguen, trofe që Torres ende nuk e ka në karrierën e tij. Spanjolli beson se PSG-ja i ofron një mundësi të madhe për ta realizuar këtë objektiv.
“Paris-Saint Germaini është klubi ideal për ta fituar Ligën e Kampionëve”, ishin fjalët e para të Torresit si lojtar i parisienëve.
Torres gjithashtu vlerësoi moshën e re të skuadrës dhe ecurinë e fundit të klubit parisien, i cili është konsoliduar si një prej skuadrave pretendente për trofeun më të madh evropian.
Një tjetër faktor vendimtar ishte Luis Enrique. Torres kishte punuar më parë me trajnerin spanjoll te Kombëtarja e Spanjës dhe pranoi se besimi që ai i kishte dhënë gjatë asaj periudhe kishte ndikuar në zhvillimin e karrierës së tij ndërkombëtare.
Transferimi shënon fundin e aventurës së Torresit te Barcelona pas katër vitesh e gjysmë. Ai iu bashkua klubit katalunas në janar të vitit 2022 nga Manchester City për 55 milionë euro, plus bonuse.
Në sezonin 2025/26, Torres shënoi 21 gola dhe dha tri asistime në 49 paraqitje në të gjitha garat, përpara se të niste kapitullin e ri në Paris./Telegrafi/





