Arabia Saudite po përgatitet me metoda moderne për sfidën ndaj Spanjës në Kupën e Botës 2026 dhe një nga detajet që ka tërhequr më shumë vëmendje është përdorimi i syzeve speciale gjatë stërvitjeve të portierëve.
Ekipi saudit ka përfshirë në seancat stërvitore të ashtuquajturat “syze vizuale stërvitore”, një teknologji që synon të përmirësojë përqendrimin, refleksin dhe shpejtësinë e reagimit të gardianëve të portës.
Këto syze funksionojnë duke kufizuar përkohësisht informacionin vizual që merr lojtari, duke e detyruar atë të reagojë më shpejt dhe të marrë vendime më të sakta në situata të vështira. Synimi është që portierët të jenë më të përgatitur për të përballuar goditjet dhe rastet e rrezikshme gjatë ndeshjeve.
Teknologji e përdorur edhe nga sportistë të tjerë elitarë
Kjo metodë nuk është e re në sportin profesionist. Ajo është përdorur më parë nga sportistë të nivelit të lartë në disiplina të ndryshme, përfshirë basketbollin, tenisin dhe artet marciale.
Një nga emrat më të njohur që ka eksperimentuar me këtë teknologji është luftëtari i arteve marciale të përziera, Ilia Topuria, i cili e përdori për të përmirësuar kohën e reagimit dhe aftësinë për të parashikuar lëvizjet e kundërshtarëve.
Spanja përballë një sfide të veçantë
Pas barazimit zhgënjyes në ndeshjen e parë të Botërorit, Spanja kërkon rikthimin te fitoret kundër Arabisë Saudite.
Megjithatë, sulmuesit spanjollë mund të përballen me portierë edhe më të përgatitur falë metodave moderne të stërvitjes që po aplikon kundërshtari i tyre.
Për “La Rojan”, çelësi do të jetë efikasiteti para portës, pasi vetëm me më shumë saktësi në finalizim mund të thyejnë rezistencën e një skuadre që po investon gjithnjë e më shumë në teknologji dhe inovacion për të rritur performancën në fushë. /Telegrafi/






