Ish-përzgjedhësi i Anglisë dhe një nga trajnerët më të suksesshëm në historinë e futbollit, Fabio Capello, ka dhënë parashikimin e tij për Kupën e Botës 2026, duke veçuar skuadrat që, sipas tij, kanë më shumë gjasa të ngjiten në majën e botës.
Tekniku italian beson se Franca dhe Spanja hyjnë në turne si favoritët kryesorë, falë cilësisë së lartë që kanë në përbërje.
“Franca dhe Spanja janë favoritët kryesorë; ato kanë një nivel më të lartë cilësie teknike,” deklaroi Capello.
Ai u ndal edhe te Anglia, e cila në këtë Botëror do të drejtohet nga Thomas Tuchel, ndërsa vlerësoi se Gjermania nuk është në nivelin e viteve të kaluara.
“Jam i intriguar nga Anglia nën drejtimin e Thomas Tuchel. Gjermania ka rënë pak në renditje dhe mezi pres të shoh se si do të performojnë në këtë Kupë Bote,” shtoi ai.
Megjithatë, Capello pranoi se mbështetja e tij personale shkon për Brazilin, që tashmë drejtohet nga Carlo Ancelotti.
“Unë mbështes ekipin kombëtar të Brazilit të Carlo Ancelottit. Ai ka një karakter të jashtëzakonshëm dhe përshtatet shpejt në çdo mjedis, gjë që nuk është një gjë e lehtë për t’u bërë në Brazil,” u shpreh strategu italian. /Telegrafi/






