Ndarja tragjike nga jeta e futbollistit Fatjon Bunjaku ka lënë në pikëllim të thellë mbarë komunitetin sportiv në Kosovë dhe Shqipëri.
22-vjeçari, i cili humbi jetën në një aksident automobilistik, kishte ndërtuar një karrierë të pasur duke veshur fanellat e disa klubeve dhe të përfaqësueseve U19 e U21 të Kosovës.
Pas konfirmimit të lajmit të hidhur, klubet ku ai luajti gjatë karrierës së tij kanë reaguar me mesazhe prekëse, duke kujtuar jo vetëm futbollistin e talentuar, por edhe njeriun e përkushtuar dhe të dashur që ishte Fatjoni.
*”Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të lojtarit tonë, Fatjon Bunjaku.
Sot, familja e madhe e klubit tonë humbi jo vetëm një lojtar, por një njeri që mbajti me krenari ngjyrat e klubit dhe la kontributin e tij në historinë tonë.
Përkushtimi dhe pasioni i tij për futbollin do të mbeten gjithmonë pjesë e identitetit tonë.
Në këto momente të vështira, mendimet dhe lutjet tona janë me familjen Bunjaku, miqtë dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin dhe ta duan Fatjonin.
AF Elbasani shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Bunjaku dhe për të gjithë komunitetin sportiv që sot humbi një nga njerëzit e tij. Fatjoni nuk do të harrohet.”*
*”Telegram ngushëllimi familjes Bunjaku.
Me dhimbje të thellë dhe pikëllim të madh morëm lajmin për ndarjen tragjike dhe të parakohshme nga jeta të më të dashurit tuaj, Fatjon Bunjakut.
Në emrin e gjithë komunitetit kuqebardh, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të rëndë e të pazëvendësueshme.
Fatjoni ishte shumë më tepër se një futbollist i talentuar. Ai ishte një djalë i edukuar, i përkushtuar dhe me ëndrra të mëdha, i cili me punën, karakterin dhe dashurinë për futbollin arriti të fitojë respektin e të gjithë atyre që patën fatin ta njohin dhe të punojnë me të.
Kontributi i tij në klubin tonë do të mbetet pjesë e kujtimeve të çmuara. Fatjoni përfaqësoi me krenari ngjyrat tona dhe ishte një shembull i një sportisti që gjithmonë synonte të ecte përpara.
Largimi i tij në një moshë kaq të re na ka tronditur të gjithëve. Futbolli kosovar humbi një talent të madh, ndërsa familja, miqtë dhe bashkëlojtarët humbën një njeri të dashur, që la gjurmë të pashlyeshme në zemrat e tyre.
Në këto çaste të rënda, ndajmë dhimbjen me ju dhe lutemi që të gjeni forcë për ta përballuar këtë humbje të madhe.
Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të ish-lojtarit tonë, Fatjon Bunjaku, si pasojë e një aksidenti fatal.
Lajmi na ka tronditur thellësisht të gjithëve.
Në këto momente të vështira, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën dhe e deshën.
Humbja e tij është e madhe dhe dhimbja e papërshkrueshme.
Kujtimi dhe kontributi i tij do të mbeten përgjithmonë pjesë e historisë së klubit tonë.
U prehsh në paqe, Fatjon. Nuk do të harrohesh kurrë.”*
*”Lamtumirë i dashuri ynë Fatjon Bunjaku.
Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të ish-lojtarit tonë, Fatjon Bunjaku, djaloshit që hodhi hapat në Shkollën e Futbollit KF Trepça dhe që me krenari mbajti ngjyrat e klubit tonë.
Fatjoni ishte më shumë se një futbollist; ai ishte një shembull i përkushtimit, respektit dhe dashurisë për sportin. Kujtimi i tij do të mbetet gjithmonë pjesë e historisë së KF Trepçës dhe në zemrat e të gjithë atyre që e njohën.
Në këto momente të rënda, KF Trepça shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Bunjaku, miqtë dhe të gjithë bashkëlojtarët e tij.
Prehu në paqe, Fatjon. Emri dhe buzëqeshja jote do të jetojnë përgjithmonë në kujtimet tona.” /Telegrafi/






