Futbollisti i Kosovës, Dion Gallapeni, do të vazhdojë karrierën te Wisła Płock. Klubi polak ka njoftuar se pas përfundimit të huazimit ka vendosur ta blejë përfundimisht 21-vjeçarin nga Widzew Lodz.
Sipas njoftimit, kontrata e reprezentuesit të Kosovës do të jetë e vlefshme deri më 31 maj 2029, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.
Gallapeni, i lindur më 22 dhjetor 2004, hapat e parë i bëri te klubi lokal Winner Prizren, para se të kalonte te FC Prishtina.

Ai debutoi me ekipin e parë në vitin 2023 dhe, pavarësisht moshës së re, në Prishtinë regjistroi 61 paraqitje, me 5 gola dhe 10 asistime, duke kontribuar edhe në fitimin e dy Kupave të Kosovës dhe një Superkupa.
Vitin e kaluar, mbrojtësi i krahut të majtë u transferua te Widzew Lodz, ku në gjysmën e parë të sezonit zhvilloi 10 ndeshje dhe shënoi një gol në Ekstraklasë, si dhe luajti edhe në Kupën e Polonisë.
Te Wisla Plock, Gallapeni u bashkua në mes të shkurtit si i huazuar dhe debutoi më 2 mars kundër Zagłębie Lubin. Tre javë më vonë, ai regjistroi dy asistime në fitoren ndaj Jagiellonia Białystok (2:1), ndërsa në shtatë ndeshjet e fundit të sezonit ishte rregullisht titullar.
Në total, në pjesën e dytë të sezonit, ai luajti 10 ndeshje, bëri 3 asistime dhe u ndëshkua me 1 karton të verdhë.
Gallapeni është edhe pjesë e rregullt e Kombëtares së Kosovës. Në mars, Kosova ishte pranë kualifikimit në Botëror, por u mposht në finalen e “play-off”-it nga Turqia me rezultat 0-1.
Emri i tij është përfshirë edhe në listën e të ftuarve për grumbullimin e qershorit, ku synon t’i shtojë paraqitjet në fanellën dardane. /Telegrafi/





