Ish-ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Roland Bimo, ka komentuar zhvillimet në prag të vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për ish-krerët e UÇK-së.
I ftuar në emisionin “Now” në Euronews Albania, Bimo u shpreh se entuziazmi për një vendim të mundshëm pafajësie nuk duhet të shoqërohet me pritshmëri të tepruara, pasi, sipas tij, procesi ka karakter politik.
“Sot ne jemi entuziastë, se duket sikur presim mëshirë, ndërkohë që i gjithë procesi është totalisht politik dhe nuk ka lidhje me luftën”, deklaroi Bimo.

Ai argumentoi se gjatë viteve të fundit janë bërë përpjekje të shumta për “europianizimin e Serbisë”, por, sipas tij, këto iniciativa nuk kanë dhënë rezultatin e pritshëm. Në këtë kuadër, Bimo përmendi edhe ceremoninë e lidhur me Ratko Mlladiçin si një prej zhvillimeve që, sipas tij, e ka bërë më të qartë situatën.
Duke folur për atë që mund të ndodhë në Hagë, ish-ambasadori u ndal te një intervistë e profesorit Edward Joseph, të cilën e cilësoi si një pikë të rëndësishme referimi.
“Sa i përket se çfarë do të ndodhë nesër, pika më e rëndësishme e referimit për mua është intervista e Edward Joseph, i cili në korrik të këtij viti ka bërë një intervistë online dhe thotë: janë harxhuar 500 milionë euro me këtë gjykatë, kanë kaluar 18 vjet, janë me dhjetëra gjykatës”, tha Bimo.
Sipas tij, shpenzimet e konsiderueshme për procesin mund të krijojnë një shqetësim lidhur me pritshmëritë për rezultatin e gjykimit.
“Vetëm këto shpenzime më krijojnë një lloj shqetësimi, që përbëjnë një motivacion të ndërgjegjshëm apo të pandërgjegjshëm për t’u dënuar këta njerëz”, u shpreh ai.
Bimo shtoi se një vendim pafajësie do të ngrinte pikëpyetje edhe mbi mënyrën se si institucionet europiane do të justifikonin përpara taksapaguesve shpenzimet e bëra për këtë proces.
“Nëse nuk do dënoheshin, atëherë me sa sy e faqe BE do justifikohej përpara taksapaguesve të vetë për gjithë këto para të shpenzuara?”, përfundoi Bimo. /euronews/





