Bordi i Transparencës ka vendosur më 29 maj 2026 çmimet e reja tavan për shitjen e karburanteve në tregun vendas, të cilat hyjnë në fuqi në orën 13:00 të kësaj të shtune dhe do të qëndrojnë në fuqi deri në mbledhjen e radhës.
Sipas vendimit, çmimi i shitjes me pakicë i naftës do të jetë jo më shumë se 185 lekë për litër, 2 lekë më pak se mbledhja e fundit e bordit ndërsa çmimi i shitjes me shumicë nuk do të kalojë 173 lekë për litër. Për benzinën, çmimi i shitjes me pakicë është përcaktuar në jo më shumë se 173 lekë për litër, 1 lek më pak se vendimi i fundit i bordit ndërsa ai i shumicës 161 lekë për litër.

Po ashtu, në vendim përcaktohet edhe çmimi i gazoilit për peshkim, i cili sipas përllogaritjeve dhe kuadrit ligjor rezulton në 90 lekë për litër, duke u bazuar në përjashtimet fiskale të parashikuara për anijet e peshkimit në ligjet përkatëse.
Në njoftim theksohet se operatorët e tregut të karburanteve janë të detyruar të zbatojnë vendimin, ndërsa çdo shkelje e konstatuar do të shoqërohet me masa administrative, përfshirë pezullimin e aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar, sipas deklaratës, për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.
Në sqarimin shoqërues, Bordi referon Aktin Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, ku përcaktohet se në rast se çmimi i shitjes me pakicë për naftën kalon 220 lekë/litër dhe për benzinën 200 lekë/litër, aplikohet niveli 80% i akcizës. Duke qenë se çmimet aktuale janë nën këto kufij, sipas metodologjisë së përcaktuar, akciza zbatohet në nivelin e plotë 100%. /Euronews/





