Fundjava ka sjellë një tjetër rritje të lëvizjeve në Pikën Kufitare të Morinës, ku mijëra qytetarë po kalojnë drejt Shqipërisë për të shijuar pushimet verore në bregdet.
Sipas të dhënave të autoriteteve kufitare, gjatë 24 orëve të fundit mes Kosovës dhe Shqipërisë kanë hyrë dhe dalë 26.921 shtetas me rreth 8.022 automjete.

Në territorin shqiptar kanë hyrë 14.564 shtetas me 4.233 automjete, ndërsa kanë dalë 12.357 shtetas me 3.899 automjete.
Siç raporton korrespondenti i Top Channel, Bekim Lekica, destinacioni kryesor i udhëtarëve mbetet bregdeti shqiptar, ndërsa shumë prej tyre shprehen se kanë zgjedhur të kalojnë fundjavën ose pushimet e sezonit veror në vendin tonë.
Përballë fluksit të lartë, Pika Kufitare e Morinës po funksionon me 12 sportele në hyrje dhe dalje.
Procedura e përshpejtuar e kontrollit, e zbatuar në bazë të marrëveshjes së lëvizjes së lirë mes Shqipërisë dhe Kosovës, ka mundësuar shmangien e radhëve dhe kalimin e shpejtë të udhëtarëve.
Autoritetet parashikojnë që fluksi të mbetet i lartë edhe gjatë ditëve në vijim, teksa sezoni turistik po hyn në kulmin e tij dhe numri i pushuesve drejt bregdetit shqiptar vijon të rritet. /Tch/





