Si shpëtoi Ukraina dhe pse ende është në rrezik?

Bota

Kur presidenti rus Vladimir Putin ateroi më 15 gusht 2025 në bazën ajrore Elmendorf, në Alaskë, jo vetëm në Ukrainë, por në mbarë Evropën mbizotëronte frika se në Alaskë mund të arrihej një marrëveshje në dëm të ukrainasve dhe të interesave evropiane të sigurisë, shkruan gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” në një analizë të botuar […]

Madhësia e shkronjave

Kur presidenti rus Vladimir Putin ateroi më 15 gusht 2025 në bazën ajrore Elmendorf, në Alaskë, jo vetëm në Ukrainë, por në mbarë Evropën mbizotëronte frika se në Alaskë mund të arrihej një marrëveshje në dëm të ukrainasve dhe të interesave evropiane të sigurisë, shkruan gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” në një analizë të botuar të shtunën.

Trump e lavdëroi “marrëdhënien e tij fantastike me Vlladimirin” dhe foli për përparim të madh, por Putin nuk e mori parasysh kërkesën amerikane për armëpushim. Më vonë, një burim anonim i tha gazetës britanike “Financial Times” se Putini e kishte bezdisur Trampin me shtjellime të gjata për unitetin historik të rusëve dhe ukrainasve.

Kremlini me gjasë asnjëherë nuk i mori seriozisht Trumpin. Para samitit, ai i kishte kërcënuar rusët me “pasoja serioze” nëse refuzonin armëpushimin. Pas samitit tha se sanksionet e planifikuara ekonomike janë të panevojshme. Të nesërmen e samitit hodhi bombën e radhës: përmes një mesazhi të shkurtër njoftoi se nuk synonte më një marrëveshje armëpushimi për Ukrainën. Mënyra më e mirë, tha ai, ishte të negociohej drejtpërdrejt një marrëveshje paqeje, shkruan “Neue Zürcher Zeitung”.

Njëri nga dëshmitarët e paktë të bisedimeve të samitit, i dërguari amerikan Steve Witkoff, e përshkroi ngjarjen një ditë më vonë në televizion në mënyrë thuajse euforike: ishte arritur diçka që ndryshonte gjithçka, tha ai. Rusët, sipas tij, ishin pajtuar që Ukraina të mund të merrte nga SHBA-të garanci sigurie sipas modelit të Traktatit të NATO-s.

Megjithëse ky përshkrim – si shumë deklarata të Witkoffit – më vonë doli i pavërtetë, ai krijoi një dinamikë të re. Papritur dukej sikur edhe Putini kishte bërë një lëshim të rëndësishëm. Tashmë barra i kalonte Ukrainës, e cila duhej të bënte lëshime nga ana e saj.

“Presidenti Zelensky mund ta përfundojë luftën pothuajse menjëherë, nëse dëshiron”, shkroi Trumpi. Kjo tingëllonte sikur përgjegjësinë për gjakderdhjen e vazhdueshme nuk e mbante Moska, por Kievi. Kur Zelensky mbërriti në Washington tri ditë pas takimit të nivelit të lartë, duhej të llogariste në presion të madh amerikan për të pranuar një lloj paqeje kapitulluese. Me nxitim, edhe shtatë politikanë të lartë evropianë u nisën për t’i qëndruar Zelenskyt pranë në Shtëpinë e Bardhë. Taktika funksionoi dhe vendimet u shtynë për momentin, sipas “Neue Zürcher Zeitung”.

Bisedimet çuan në një plan konkret prej 28 pikash, i cili doli në publik më 20 nëntor. Ai parashikonte përfundimin e luftës nën një sërë kushtesh, ndër të cilat më e dhimbshmja për Ukrainën ishte tërheqja pa luftë nga Donbasi. Kievi e refuzoi.

“Ishim të sigurt se çështja kishte përfunduar dhe se nisma e Trumpit do të zbatohej siç ishte njoftuar” – kështu e shprehu frustrimin e tij ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov në mars. Në korrik ai u shpreh edhe më ashpër. E paraqiti Trumpin si ndërmjetës të dështuar, i cili kishte folur më shumë se ç’duhej. Ndryshe nga premtimi, presidenti amerikan nuk kishte arritur ta bindte Zelenskyn t’i pranonte propozimet e miratuara në bazën amerikane në Alaskë, Anchorage.

Lavrovi ishte i zemëruar sepse homologu i tij amerikan, Marco Rubio, pak më parë i kishte shpallur propozimet e Anchorage të dështuara. Rubio tha se ato kishin qenë të papranueshme për ukrainasit që atëherë dhe se sot ndoshta ishin edhe më të papranueshme. Për të arritur paqen, nevojiteshin “ide të reja”.

Në përgjithësi, ndërmjetësi Witkoff udhëtoi shtatë herë te Putini në Rusi, ndërsa nuk shkoi asnjëherë në Ukrainë. Tani duket se ndërmjetësi ka arritur në përfundimin se, për të vendosur një paqe të drejtë, ndoshta duhet dëgjuar edhe pala më e dobët. Pritet të vizitojë Kievin në ditët apo javët e ardhshme.