Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka folur me optimizëm për futbollistët e rinj të grumbulluar te “Dardanët”, duke theksuar se ata kanë lënë përshtypje shumë të mira me paraqitjet e tyre në klubet respektive.
Kombëtarja e Kosovës do t’i zhvilloj dy ndeshje miqësore gjatë ditëve të ardhshme, ku do të luajnë më 31 maj ndaj Çekisë në udhëtim, derisa një javë më vonë presin Andorrën në ‘Fadil Vokrri’.
Për këto dy ndeshje, Foda ka publikuar listën me 25 futbollistë, ku ka emra që janë rikthyer dhe emra të rinj si Valmir Matoshi, Dardan Shabanhaxhaj dhe Rilind Nivokazi.
Tekniku gjerman bëri të ditur se i ka ndjekur nga afër performancat e lojtarëve të rinj, madje duke qenë i pranishëm edhe në ndeshjet e tyre me klubin zviceran FC Lugano. Sipas tij, forma që kanë treguar ka qenë arsyeja kryesore pse janë ftuar në ekipin kombëtar.
“Tre prurjet e reja i kam vëzhguar në ndeshjet e tyre dhe kam qenë edhe në FC Lugano. Më kanë lënë përshtypje të mirë gjatë paraqitjeve të tyre dhe pikërisht për këtë shkak i kam ftuar”, ka thënë fillimisht Foda në konferencë.
“Tani është koha që ata të tregojnë veten dhe të zënë vend në ekipin kombëtar të Kosovës”, përfundoi trajneri gjerman. /Telegrafi/






