Juventusi ka zyrtarizuar transferimin e mbrojtësit kolumbian Jhon Lucumi nga Bologna, me 28-vjeçarin që ka nënshkruar kontratë me “Zonjën e Vjetër” deri më 30 qershor 2030.
Lucumi e nisi karrierën te Deportivo Cali, ndërsa debutimin profesionist e bëri në moshën vetëm 17-vjeçare.

Në vitin 2018, ai u transferua te Genk në Belgjikë, ku u konsolidua si titullar dhe u shndërrua në një prej mbrojtësve më të spikatur të kampionatit belg.
Në vitin 2022, qendërmbrojtësi iu bashkua Bolognas, ku gjatë katër sezoneve zhvilloi 152 paraqitje në të gjitha kompeticionet.
Ai pati gjithashtu mundësinë të luante në Ligën e Kampionëve, ku shënoi një prej dy golave të tij me fanellën e klubit italian.
Tashmë, Lucumi i bashkohet Juventusit me një përvojë të konsiderueshme në Serie A, ndërsa pritet t’i japë më shumë alternativa dhe stabilitet repartit defensiv të skuadrës së drejtuar nga Luciano Spalletti.
Kolumbiani bëhet kështu një prej përforcimeve të fundit të Juventusit në prag të sezonit të ri, me klubin torinez që synon të rikthehet fuqishëm në garën për trofetë në Itali dhe Evropë. /Telegrafi/





