Enrique Riquelme e ka bërë të qartë se po hyn në zgjedhjet për president të Real Madridit me synimin për të fituar, dhe jo thjesht për ta sfiduar Florentino Perezin në mënyrë simbolike.
Biznesmeni zbuloi se ka vënë në dispozicion gati 200 milionë euro nga pasuria e tij personale për ta mbështetur fushatën dhe beson se e kaluara e tij profesionale dëshmon ambicien që ka.
“Për momentin, e vetmja gjë që kemi në mendje është ky projekt. Ky nuk është një projekt i bazuar te një individ i vetëm që merr çdo vendim”.
“E kundërta: bëhet fjalë për profesionalizim në shumë fusha të ndryshme të klubit. Prandaj, në këtë moment, nuk mendoj për asgjë tjetër përveç fitores”.
“Ky proces sjell një kosto shumë të madhe personale dhe profesionale, dhe ne jemi këtu për të fituar tani. Nuk hyra në këtë garë, nuk angazhova gati 200 milionë euro nga pasuria ime personale dhe nuk u ekspozova në mënyrën siç e kam bërë, thjesht për të marrë pjesë. Çfarë kuptimi do të kishte kjo?”.
37-vjeçari vuri gjithashtu në pah përvojën e tij në drejtimin e një kompanie të madhe ndërkombëtare.
“Mendoj se karriera ime profesionale flet vetë. Jam 37 vjeç dhe drejtoj një kompani globale me 5,000 punonjës që operon në 37 shtete dhe gjeneron 4 miliardë euro të ardhura, ku unë jam themelues dhe kryetar ekzekutiv”.
“Nëse ka një gjë që njerëzit duhet ta kuptojnë për mua, është se unë nuk hyj në projekte vetëm sa për të marrë pjesë”.
Riquelme do të përballet me Perezin në zgjedhjet e para presidenciale të Real Madridit që do të jenë realisht të kontestuara që nga viti 2006./Telegrafi/






