Raporti i IKD-së: Mbi 40% e seancave të Kuvendit ishin të jashtëzakonshme

Nacionale

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka publikuar raportin “Monitoruesi i Legjislaturës së X”, ku është analizuar funksionimi i Kuvendi i Kosovës gjatë kësaj legjislature, duke përfshirë procesin legjislativ, mbikëqyrjen parlamentare, transparencën dhe respektimin e standardeve kushtetuese. Raporti, i mbështetur nga Fondacioni “Rockefeller Brothers”, thekson se mbi 40 për qind e seancave parlamentare kanë qenë të […]

Madhësia e shkronjave

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka publikuar raportin “Monitoruesi i Legjislaturës së X”, ku është analizuar funksionimi i Kuvendi i Kosovës gjatë kësaj legjislature, duke përfshirë procesin legjislativ, mbikëqyrjen parlamentare, transparencën dhe respektimin e standardeve kushtetuese.

Raporti, i mbështetur nga Fondacioni “Rockefeller Brothers”, thekson se mbi 40 për qind e seancave parlamentare kanë qenë të jashtëzakonshme, gjë që sipas IKD-së tregon përdorim të shpeshtë të procedurave të përshpejtuara dhe kufizim të debatit substancial.

“Shumë ligje janë miratuar me procedura të përshpejtuara, shpesh pa konsultime të mjaftueshme publike dhe pa trajtim adekuat të rekomandimeve të institucioneve të pavarura”, thuhet në raport.

Në raport ngrihet shqetësim edhe për moszbatimin e aktgjykimeve të Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, duke e cilësuar këtë si një problem serioz për sundimin e ligjit.

Po ashtu, IKD thekson se 26 deputetë nuk kanë mbajtur asnjë deklaratë parlamentare gjatë gjithë legjislaturës, çka sipas raportit ngre dilema për ushtrimin efektiv të mandatit të tyre.

Në diskutimin pas prezantimit të raportit, ish-deputetë të partive të ndryshme dhanë vlerësime të ndryshme për funksionimin e Kuvendit. Jehona Lushaku-Sadriu nga Lidhja Demokratike e Kosovës kritikoi shumicën parlamentare për “arrogancë në përcaktimin e agjendës”, ndërsa Arben Mustafa nga Partia Demokratike e Kosovës tha se fokusi ka qenë më shumë politik sesa shtetëror.

Nga ana tjetër, Ilir Kërçeli nga Lëvizja Vetëvendosje tha se dinamika e punës ka kërkuar vendimmarrje më të shpejtë, ndërsa Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e cilësoi legjislaturën si të menaxhuar dobët dhe me mungesë bashkëpunimi politik.

Në përfundim, IKD vlerëson se kjo legjislaturë është karakterizuar nga dominimi i shumicës parlamentare, përdorimi i shpeshtë i procedurave emergjente dhe sfida në respektimin e standardeve demokratike, duke bërë thirrje për më shumë transparencë dhe debat parlamentar në të ardhmen. /Telegrafi/