Trajneri i Real Madridit, Alvaro Arbeloa, ka shprehur zhgënjimin e tij në lidhje me rrjedhjet e informacionit nga dhoma e zhveshjes.
Arbeloa ka dhënë konferencën për shtyp më të pritur që nga marrja e detyrës. Dhe kjo nuk është për shkak të El Clasicos ndaj Barcelonës.
Trajneri spanjoll foli pa hezitim për incidentin e rëndë midis Federico Valverdes dhe Aurelien Tchouameni, me dy mesfushorët që u përplasën për dy ditë radhazi në stërvitje, ku uruguaiani mbeti edhe i gjakosur kur zënka eskaloi në përplasje fizike.
Ai nuk e justifikon veprimin e tyre, por e bën të qartë se të gjithë bëjnë gabime, duke përmendur Juaniton si shembull. Ajo që e ka lënduar më shumë, thotë trajneri, është se gjithçka u zbulua nga dikush brenda klubit.
“Fakti që gjërat që ndodhin në dhomat e zhveshjes publikohen duket si një tradhti ndaj Real Madridit, një akt mosbesnikërie ose pabesie dhe kjo më trishton shumë”, tha fillimisht trajneri spanjoll.
Arbeloa u pyet edhe për spiunin e mundshëm brenda ekipit, por përgjigja e tij ishte diplomatike.
“Jo, unë nuk punoj për CIA-n. Nuk i akuzoj lojtarët apo askënd tjetër sepse nuk mundem. Ka shumë njerëz rreth Real Madridit dhe nuk mund të akuzoj askënd. Unë jap një shembull dhe ajo që diskutoj me lojtarët e mi mbetet mes nesh”, përfundoi Arbeloa. /Telegrafi/






