Versioni standard i ChatGPT është përditësuar në GPT-5.5 Instant, një model që sjell përmirësime në saktësi dhe reduktim të “halucinacioneve” (gabimeve të pavërteta), veçanërisht në fusha si mjekësia, ligji dhe financat, ka njoftuar OpenAI.
GPT-5.5 Instant është më i aftë për detyra si analiza e imazheve, përgjigjja në pyetje STEM (shkencë, teknologji, inxhinieri, matematikë) dhe vendosja kur duhet përdorur kërkimi në internet për të dhënë përgjigje më të mira.

Po ashtu, përgjigjet mund të personalizohen më shumë, pasi modeli mund të përdorë më mirë kontekstin nga bisedat e mëparshme, dokumentet dhe Gmail-i, por kjo veçori aktualisht është e kufizuar për përdoruesit me pagesë.
OpenAI thotë se përgjigjet tani janë më të shkurtra dhe më të qarta, pa humbur përmbajtjen thelbësore, dhe pa e ndryshuar “personalitetin” e ChatGPT. Modeli jep informacionin njësoj, por me më pak formatime të panevojshme, më pak emoji dhe pa pyetje shtesë të tepërta.
Të gjithë modelet e ChatGPT po përditësohen gjithashtu me funksionin e “kujtesës”, që i lejon sistemit të shfaqë biseda të mëparshme, dokumente dhe kontekst tjetër që është përdorur për krijimin e përgjigjeve.
GPT-5.5 Instant po shpërndahet për të gjithë përdoruesit dhe po zëvendëson GPT-5.3 Instant si modeli standard. Ndërsa përdoruesit falas mund ta përdorin këtë version, funksionet e reja të personalizimit janë të kufizuara për abonentët Plus dhe Pro në web.
OpenAI shton se personalizimi do të zgjerohet edhe në pajisjet mobile dhe në javët në vijim do të jetë i disponueshëm edhe për përdoruesit Free, Go, Business dhe Enterprise.
Ende nuk dihet kur integrimi i ChatGPT në Apple Intelligence do të kalojë në GPT-5.5 Instant. /Telegrafi/





