Rexhepi kërkon veprim urgjent për lehtësimin e qarkullimit në Breznicë dhe Dobrosin

Kërkesë urgjente për lehtësimin e qarkullimit në pikat kufitare Breznicë dhe Dobrosin I nderuar z. Kryeministër, Në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit të Komunës së Bujanocit, duke përfaqësuar drejtpërdrejt interesat dhe shqetësimet e qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës, ju drejtohem me kërkesë urgjente lidhur me vështirësitë serioze në qarkullimin ndërkufitar. Ngarkesa e papërballueshme dhe […]

LAJME

Kërkesë urgjente për lehtësimin e qarkullimit në pikat kufitare Breznicë dhe Dobrosin

I nderuar z. Kryeministër,

Në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit të Komunës së Bujanocit, duke përfaqësuar drejtpërdrejt interesat dhe shqetësimet e qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës, ju drejtohem me kërkesë urgjente lidhur me vështirësitë serioze në qarkullimin ndërkufitar.

Ngarkesa e papërballueshme dhe pritjet e gjata në pikën kufitare Dheu i Bardhë po ndikojnë drejtpërdrejt në jetën ekonomike, sociale dhe familjare të qytetarëve tanë, duke kufizuar lëvizjen e lirë dhe duke krijuar barriera të panevojshme për një komunitet që është i lidhur ngushtë me Republikën e Kosovës.

Në këto rrethana, hapja ose funksionalizimi i pikave kufitare në Breznicë dhe Dobrosin nuk është vetëm një nevojë praktike, por një domosdoshmëri politike dhe institucionale për të garantuar trajtim të barabartë dhe dinjitoz për qytetarët shqiptarë të kësaj zone.

Presim që institucionet e Republikës së Kosovës të tregojnë vullnet të qartë politik dhe angazhim konkret për adresimin e kësaj çështjeje, duke marrë hapa të menjëhershëm në koordinim me palët përkatëse.

Çdo vonesë në këtë drejtim vazhdon të rëndojë jetën e përditshme të qytetarëve dhe të thellojë ndjenjën e izolimit të tyre.

Duke besuar në përkushtimin tuaj për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve kudo që ndodhen, presim veprime konkrete dhe të shpejta në këtë drejtim.

Me respekt,

Driton Rexhepi

Kryetar i Kuvendit të Komunës së Bujanocit