Kombëtarja e Kosovës nesër mbrëma do ta zhvillojë sfidën jetike ndaj Sllovakisë në kuadër të gjysmëfinales së play-offit të Kupës së Botës në Bratislavë, por kjo nuk do të jetë aspak e lehtë.
Bleron Krasniqi, ish lojtar i Kosovës U21 që është pjesë e skuadrës sllovake Tatran Presov ka paralajmëruar “Dardanët” që të mos marrin një gol të hershëm, megjithatë beson se kombëtarja jonë do të kualifikohet në Botëror.
Ai në një intervistë për Telegrafin deklaroi se Sllovakia është një kombëtare që luan futboll fizik, vrapojnë shumë si dhe luftojnë në fushë.

“Po, për Kosovën është një sfidë shumë e rëndësishme dhe gjithashtu e vështirë, sepse ndeshja luhet kundër Sllovakisë në Sllovaki. Sllovakia në shtëpi është shumë e fortë – ata madje e kanë mposhtur edhe Gjermaninë në shtëpi. Megjithatë, unë shoh shanse reale që Kosova ta fitojë këtë ndeshje”.
“Nuk mund të flas shumë për kombëtaren e Sllovakisë, sepse nuk kam parë shumë ndeshje të tyre kohët e fundit. Por mund të flas për ligën dhe për lojtarët kundër të cilëve kam luajtur. Liga sllovake është një ligë shumë fizike, me shumë vrapim dhe luftë në fushë”.
Krasniqi nënvizoi se problemi kryesor për Kosovën janë tifozët e Sllovakisë sepse janë shumë të pasionuar dhe e mbështesin fortë kombëtaren.
“Rreziku më i madh është nëse Kosova pëson gol herët në ndeshje. Atëherë atmosfera në stadium mund t’i japë edhe më shumë mbështetje dhe energji ekipit të Sllovakisë. Kjo mund të bëhet një rrezik. Përveç kësaj, është një lloj finaleje – një ndeshje ku secili jep 100%, sepse të gjithë duan të shkojnë në Kupën e Botës. Prandaj çdo ndeshje është e vështirë.
“Nga ajo që kam përjetuar në ligë, disa ekipe kanë tifozë shumë të pasionuar. Në përgjithësi janë njerëz shumë emocionalë dhe e mbështesin fort ekipin e tyre. Besoj se do të ketë një mbështetje të madhe për Sllovakinë, sidomos sepse luajnë në shtëpi”.
Në fund, Krasniqi uroi që Kosova të kualifikohet në Botëror, duke mos harruar të përmend faktin se ka qenë “nder dhe krenari të luajë në fanellën dardane”.
“Po, unë vetë kam luajtur për grupmoshat e kombëtares së Kosovës dhe për mua ka qenë gjithmonë një nder dhe një krenari të përfaqësoj vendin tim. Prandaj uroj dhe shpresoj që Kosova të kalojë tutje, ta fitojë edhe ndeshjen e dytë vendimtare dhe të kualifikohet për Kupën e Botës”, përfundoi ai për Telegrafin.
Ndërkohë, kujtojmë – përballja mes Sllovakisë dhe Kosovës zhvillohet të enjten nga ora 21:00./Telegrafi/





