Hapja e Zyrës për të Huaj në Gjilan dhe Problemet e Vjetra të Luginës së Preshevës

Në Gjilan është hapur së fundmi Zyra për të Huaj, e prezantuar si një lehtësim për qytetarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, për aplikime për leje qëndrimi dhe dokumente të tjera. Megjithatë, realiteti tregon se hapja e kësaj zyre nuk ka sjellë përmirësime të prekshme për komunitetin. Shumë banorë të Luginës mbeten pa dokumente bazë, […]

Vendore

Në Gjilan është hapur së fundmi Zyra për të Huaj, e prezantuar si një lehtësim për qytetarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, për aplikime për leje qëndrimi dhe dokumente të tjera. Megjithatë, realiteti tregon se hapja e kësaj zyre nuk ka sjellë përmirësime të prekshme për komunitetin.

Shumë banorë të Luginës mbeten pa dokumente bazë, pasi Serbia u ka pasivizuar regjistrimet e adresave, ndërsa procedurat e Kosovës kërkojnë dokumente që shpesh nuk mund të sigurohen. Kjo e bën procesin praktikisht të pamundur për shumë qytetarë.

Zyra për Luginën e Preshevës – simbol politik pa rezultate

Sipas Lindës Shaqiri, analiste e komunitetit të Luginës, “Zyra për Luginën e Preshevës është shndërruar në një strukturë burokratike, e shkëputur nga terreni dhe nga nevojat reale të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Projekte sporadike dhe fonde të kufizuara nuk mjaftojnë për të adresuar diskriminimin institucional, papunësinë, migrimin masiv dhe pasigurinë e përditshme. Mungon strategjia afatgjate, mungon komunikimi real me komunitetin dhe, mbi të gjitha, mungon ndikimi konkret. Pritjet e qytetarëve të Luginës janë shumë më të mëdha se rezultatet e deritanishme. Zyra po funksionon më shumë si një simbol politik bosh, dhe reflektimi institucional, përgjegjësia dhe veprimet konkrete janë urgjente.”

Kritika e saj nxjerr në pah mungesën e rezultateve konkrete dhe ndikimin minimal të zyrës, e cila për shumë vite nuk ka ndihmuar qytetarët të pajisen me dokumente kosovare, duke i lënë ata të bllokuar midis dy sistemeve ligjore: të Serbisë dhe Kosovës.

Nevoja për veprime reale

Hapja e zyrës së re për të Huaj nuk ka adresuar problemet themelore. Qytetarët vazhdojnë të përballen me pengesa administrative dhe mungesë dokumentacioni, duke u përjashtuar nga shërbimet bazë dhe të drejtat qytetare. Komuniteti kërkon veprime konkrete, zbatim ligjor dhe bashkëpunim me Serbinë, në vend të hapjeve ceremoniale që nuk ndryshojnë gjendjen reale.

Problemet e komunitetit të Luginës janë të thella dhe kërkojnë politikë serioze dhe përkushtim institucional, jo vetëm krijim strukturash burokratike që mbeten të papërfunduara./BujanociNet/