Australia u jep azil pesë futbollisteve iraniane pas reagimit të Donald Trump

Australia u ka dhënë azil pesë anëtareve të kombëtares së femrave të Iranit, të cilat ndodheshin në vend për të marrë pjesë në AFC Women's Asian Cup 2026.

Sipas mediave ndërkombëtare, futbollistet u larguan nga hoteli i tyre në Gold Coast në orët e para të mëngjesit të së martës dhe u dërguan në një vend të sigurt nga policia federale australiane.

Aty ato u takuan me ministrin e Brendshëm të Australisë, Tony Burke, ku u finalizua procesi për vizat humanitare.

Kombëtarja iraniane kishte mbërritur në Australi muajin e kaluar për turneun kontinental, para se të shpërthente lufta në Iran. Pas eliminimit nga gara gjatë fundjavës, lojtaret përballeshin me mundësinë e kthimit në një vend të përfshirë nga bombardimet dhe tensionet e luftës.

Situata mori vëmendje ndërkombëtare edhe pas reagimit të presidentit amerikan Donald Trump.

Ai kritikoi publikisht autoritetet australiane në rrjetet sociale, duke paralajmëruar se do të ishte “një gabim i madh humanitar” nëse lojtaret do të detyroheshin të ktheheshin në Iran.

Trump madje deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i pranonte ato nëse Australia nuk do ta bënte këtë.

Më vonë, ai përgëzoi kryeministrin australian Anthony Albanese, duke thënë se disa prej lojtareve tashmë janë marrë nën mbrojtje dhe të tjerat mund të ndjekin të njëjtin proces.

Ndërkohë, trajnerja e Iranit, Marziyeh Jafari, kishte deklaruar më herët se disa lojtare dëshironin të ktheheshin në vendin e tyre sa më shpejt që të ishte e mundur, ndërsa të tjera shqetësoheshin për sigurinë e familjarëve të tyre.

Gjatë turneut, lojtaret iraniane kanë shmangur komentet për situatën politike në vend.

Megjithatë, një moment i veçantë ndodhi para ndeshjes së parë kundër Koresë së Jugut, kur skuadra qëndroi në heshtje gjatë himnit kombëtar – një veprim që u interpretua nga disa si shenjë proteste, ndërsa nga të tjerë si një gjest zie për situatën në vend. /Telegrafi/