Zyrtare: Hoffenheim blindon me kontratë të re edhe Leon Avdullahun

Sport

Ashtu siç pritej, Leon Avdullahu ka vazhduar kontratën me TSG Hoffenheim, duke u angazhuar me klubin gjerman deri në vitin 2031. Ditë më parë kontratën me klubin gjerman e kishte vazhduar edhe mbrojtësi kosovar Albian Hajdari. Mesfushori dardan, edhe pse nuk ka mbushur ende një vit te Hoffenheimi, është shndërruar shpejt në një nga lojtarët […]

Madhësia e shkronjave

Ashtu siç pritej, Leon Avdullahu ka vazhduar kontratën me TSG Hoffenheim, duke u angazhuar me klubin gjerman deri në vitin 2031.

Ditë më parë kontratën me klubin gjerman e kishte vazhduar edhe mbrojtësi kosovar Albian Hajdari.

Mesfushori dardan, edhe pse nuk ka mbushur ende një vit te Hoffenheimi, është shndërruar shpejt në një nga lojtarët kyç të mesfushës, duke tërhequr vëmendjen e disa klubeve të njohura evropiane.

Për të shmangur interesimin e rivalëve, klubi ka vendosur ta “blindojë” me një kontratë të re afatgjatë.

Drejtori sportiv i Hoffenheimit, Andreas Schicker, vlerësoi lart zhvillimin e lojtarit kosovar.

“Leoni është një shembull kryesor se si një lojtar i ri mund të zhvillohet këtu te TSG. Jam shumë i kënaqur që ai dëshiron të vazhdojë këtë rrugë të suksesshme me ne dhe që ekipi mban një nga figurat e tij kryesore. Leoni mund ta lexojë një ndeshje; ai është një strateg dhe vizioni i tij është jashtëzakonisht i rëndësishëm për stilin tonë të lojës”.

Edhe vetë Avdullahu u shpreh i lumtur për vazhdimin e bashkëpunimit me klubin gjerman.

“Kur mbërrita këtu gjatë verës, thashë se isha jashtëzakonisht krenar që isha pjesë e këtij ekipi. Kjo është më e vërtetë se kurrë sot. Çdo gjë që u diskutua atëherë është bërë realitet. Dua të vazhdoj të jem një pjesë integrale e këtij zhvillimi dhe të kontribuoj në suksesin e ekipit dhe të klubit”, tha Avdullahu.

22-vjeçari iu bashkua Hoffenheimit nga Basel në verën e vitit 2025, pasi fitoi dopietën në Zvicër. Deri më tani, ai ka regjistruar 31 paraqitje këtë sezon me klubin gjerman.

Vlera e mesfushorit kosovar ka arritur në 25 milionë euro deri më tani. /Telegrafi/