Një nga figurat më të njohura të botës së krimit në Ballkan, boshnjaku Nermin C., themelues i grupit të ndaluar në Gjermani United Tribuns, është liruar në Bosnjë-Hercegovinë vetëm pak javë pasi u ekstradua nga Zvicra.
Siç raporton gazeta “SonntagsBlick”, ai konsiderohej nga autoritetet si një prej personave më të rrezikshëm të krimit të organizuar në Evropë dhe akuzohet për përfshirje në një rrjet ndërkombëtar prostitucioni dhe trafikimi njerëzor.
Hetuesit zviceranë dyshojnë se ai kishte joshur edhe një vajzë të mitur nga Zvicra për ta shtyrë në prostitucion, transmeton Telegrafi.
Nermin C. kaloi rreth tre vjet e tetë muaj në burgjet zvicerane, derisa më 31 mars 2026 u ekstradua drejt Bosnje-Hercegovinës, pas një kërkese të autoriteteve boshnjake.
Megjithatë, vetëm pak javë më vonë, një gjykatë në Sarajevë vendosi ta lirojë me kushte.
Ai nuk lejohet të largohet nga vendbanimi dhe të takohet me persona të caktuar, por në rrjetet sociale është shfaqur sërish duke ekspozuar vila luksoze dhe makina sportive, përfshirë një Ferrari të kuq.
Artikulli thekson se prej kohësh kishte shqetësime nga hetues se autoritetet boshnjake mund ta trajtonin butësisht grupin kriminal të Nermin C.
Vëllai i tij, i njohur si “Boki”, që konsiderohej “presidenti botëror” i United Tribuns, ishte liruar më herët pas vetëm një viti burg në Sarajevë.
Sipas medias zvicerane, rrjeti i vëllezërve kishte arritur të zgjerohej për vite me radhë në Ballkan, pavarësisht urdhërarresteve ndërkombëtare. /Telegrafi/






