Zendaya ka tërhequr sërish vëmendjen me stilin e saj, teksa u shfaq me dy veshje të ndryshme gjatë aktiviteteve promovuese të filmit të ri “The Odyssey” në New York.
Në paraqitjen e parë, aktorja 29-vjeçare veshi një fustan të gjatë të bardhë me detaje gri dhe një rrip në bel, të cilin e kombinoi me sandale me lidhëse deri poshtë gjurit, të frymëzuara nga stili i Greqisë së lashtë.

Flokët e shkurtër me onde natyrale dhe vathët e argjendtë plotësuan pamjen e saj elegante, shkruan DailyMail.
Më vonë gjatë ditës, Zendaya u shfaq me një tjetër fustan të bardhë, këtë herë në gjatësi midi, me mëngë të shkurtra dhe një prerje moderne në pjesën e belit.
Ajo e kombinoi veshjen me këpucë të bardha me taka dhe bizhuteri elegante, duke ruajtur linjën minimaliste që ka karakterizuar daljet e saj të fundit.
Në filmin “The Odyssey”, me regji të Christopher Nolan, Zendaya interpreton Athinën, perëndeshën greke të mençurisë, e cila shërben si udhërrëfyese e Odiseut, të luajtur nga Matt Damon.
Gjatë gjithë turit promovues, aktorja ka zgjedhur veshje të frymëzuara nga estetika e Greqisë së lashtë, duke i lidhur paraqitjet e saj me personazhin që interpreton në ekran. /Telegrafi/





