Anësori i Gjermanisë, Jamie Leweling, ka bërë një premtim interesant para ndeshjes së Kupës së Botës kundër Ekuadorit.
Futbollisti 25-vjeçar deklaroi se do të rikrijojë modelin ikonik të flokëve të legjendës braziliane Ronaldo Nazário nga Botërori 2002, nëse “Pancerët” arrijnë të shpallen kampionë të botës.
Premtimi i tij vjen pak kohë pasi Leweling mori një fanellë të Brazilit nga vetë Ronaldo Nazário. Më herët, ai ishte bërë viral në rrjetet sociale pasi kishte përdorur një fotografi të modifikuar të vetes me modelin e famshëm të flokëve të brazilianit.
“Nëse fitojmë Kupën e Botës, edhe pse kemi ende një rrugë të gjatë përpara, do të bëj prerjen e flokëve si të Ronaldos. Ky është një premtim!”, deklaroi Leweling në konferencën për shtyp.
Sulmuesi anësor, i cili debutoi në Kupën e Botës në ndeshjen kundër Bregut të Fildishtë, theksoi se Gjermania është plotësisht e fokusuar te sfida e radhës ndaj Ekuadorit dhe nuk dëshiron të shohë shumë larg.
“Ju i njihni lojtarët e tyre nga shumë klube të mëdha evropiane. Ata nuk e nisën mirë Kupën e Botës, por prapëseprapë mund të jenë shumë të rrezikshëm. Ne do të përgatisim zgjidhjet e duhura për të fituar kundër tyre”, u shpreh ai.
Gjermania synon të vazhdojë rrugëtimin drejt trofeut të pestë botëror, ndërsa tifozët tashmë do të kenë një arsye shtesë për të shpresuar te triumfi i “Pancerëve”, rikthimin e modelit legjendar të flokëve të Ronaldos, këtë herë në kokën e Jamie Leweling. /Telegrafi/






