Xabi Alonso ka deklaruar se “plaga” e lënë nga largimi i tij nga Real Madridi tashmë është shëruar, ndërsa beson se drejtimi i Chelseat është mundësia ideale për ta rindërtuar karrierën.
Trajneri spanjoll u emërua në krye të Real Madridit në qershor të vitit 2025 mes pritshmërive të mëdha, pasi kishte bërë histori me Bayer Leverkusenin duke fituar Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë në sezonin 2023/24 pa pësuar asnjë humbje.
Megjithatë, aventura e tij në “Santiago Bernabeu” zgjati vetëm 34 ndeshje. Alonso u shkarkua në mesin e janarit, pasi regjistroi 24 fitore, katër barazime dhe gjashtë humbje.

Në momentin e largimit të tij, Real Madridi ishte katër pikë prapa Barcelonës në La Liga dhe sapo kishte humbur ndaj rivalit të përjetshëm në Superkupën e Spanjës. Gjithashtu, mediat raportuan për pakënaqësi në dhomat e zhveshjes, ku u përmendën edhe emrat e Kylian Mbappe dhe Vinicius Junior.
Situata nuk u përmirësua as pas largimit të Alonsos. Nën drejtimin e pasuesit të tij, Alvaro Arbeloa, madrilenët e mbyllën sezonin tetë pikë pas Barcelonës, e cila vulosi titullin pikërisht me një fitore 2-0 në El Clasico.
Tashmë në krye të Chelseat, Alonso thotë se e ka lënë pas zhgënjimin e përjetuar në Madrid.
“Fatmirësisht, nuk kam shumë plagë në karrierën time. Mora një plagë, por tani është shëruar dhe jam i vendosur ta shijoj këtë hap të ri, ashtu siç e shijova kur e nisa aventurën te Real Madridi”.
“Për gjërat që nuk funksionuan, kam qenë shumë kritik ndaj vetes dhe kam menduar se çfarë mund të kisha bërë më mirë. Nga zhgënjimet mëson gjithmonë”, deklaroi Alonso.
Chelsea vazhdon përgatitjet për sezonin e ri dhe të mërkurën do të përballet me Juventusin në Hong Kong. Më pas londinezët do të luajnë edhe ndaj Milanit, Johor Darul Ta’zim dhe Real Sociedadit, përpara se ta nisin sezonin e ri në Ligën Premier në udhëtim ndaj Fulhamit më 24 gusht./Telegrafi/





