WhatsApp mund të bllokojë hyrjen në llogari në telefonat me Android dhe iOS të vjetër

Teknologji

WhatsApp raportohet se ka nisur testimin e një funksioni të ri sigurie që mund t’ua bllokojë përdoruesve hyrjen në llogari nëse telefoni i tyre përdor një version të vjetër të Android ose iOS. Sipas një raporti të ri, funksioni po shpërndahet përmes një përditësimi nga serveri, që do të thotë se përdoruesit nuk kanë nevojë […]

Madhësia e shkronjave

WhatsApp raportohet se ka nisur testimin e një funksioni të ri sigurie që mund t’ua bllokojë përdoruesve hyrjen në llogari nëse telefoni i tyre përdor një version të vjetër të Android ose iOS.

Sipas një raporti të ri, funksioni po shpërndahet përmes një përditësimi nga serveri, që do të thotë se përdoruesit nuk kanë nevojë të instalojnë një version specifik të aplikacionit për ta marrë atë. Funksioni duket se po shpërndahet si për pajisjet Android, ashtu edhe për iPhone.

Nëse WhatsApp përcakton se sistemi operativ i telefonit është shumë i vjetër, përdoruesi mund të përballet me një ekran që e pengon të hyjë në llogarinë e tij. Në të njëjtën kohë, aplikacioni udhëzon përdoruesin të hapë Settings në telefon dhe të instalojë përditësimin më të fundit të disponueshëm të sistemit.

Pas përditësimit të sistemit operativ, përdoruesi mund të provojë sërish të hyjë në WhatsApp dhe, nëse pajisja plotëson kërkesat, hyrja duhet të funksionojë normalisht, transmeton Telegrafi.

Ekrani i ri gjithashtu tregon se si mund të kontrollohet versioni aktual i Android ose iOS. Sipas raportit, përdoruesit nuk do të kenë mundësi ta anashkalojnë këtë kërkesë.

Arsyeja kryesore besohet të jetë siguria. Versionet e vjetra të sistemeve operative mund të përmbajnë dobësi të njohura që mund të shfrytëzohen nga sulmuesit për instalimin e programeve keqdashëse.

Edhe pse WhatsApp përdor enkriptim nga skaji në skaj për mesazhet dhe thirrjet, kjo nuk e mbron domosdoshmërisht përdoruesin nëse pajisja e tij është komprometuar. Për shembull, një përdorues mund të marrë nga një kontakt i besuar një lidhje që instalon malware në telefon.

Megjithatë, ende nuk dihet se cilat versione të Android dhe iOS do të preken nga kjo masë. WhatsApp nuk ka njoftuar zyrtarisht se për cilat pajisje apo versione të sistemit operativ do të aktivizohet funksioni.

Prandaj, nëse përdoruesit shfaqet një njoftim që kërkon përditësimin e sistemit operativ para hyrjes në WhatsApp, kjo mund të jetë pjesë e masave të reja të sigurisë së platformës. /Telegrafi/