Dani Carvajal mund të rikthehet shumë shpejt në La Liga, por kësaj radhe me fanellën e Getafes.
Ish-kapiteni i Real Madridit është në bisedime me klubin nga Madridi për një transferim si lojtar i lirë, në një lëvizje që do të ishte mjaft befasuese duke marrë parasysh historinë e tij me “Los Blancos”.
Negociatat po ecin në drejtim pozitiv, por ende nuk ka marrëveshje përfundimtare.

Carvajal, 34-vjeçar, mbeti pa klub pas përfundimit të kontratës me Real Madridin në fund të sezonit të kaluar. Klubi madrilen konfirmoi në maj se rrugët me mbrojtësin do të ndaheshin pas 23 vitesh në klub, ndërsa ai e mbylli aventurën me 27 trofe, përfshirë gjashtë tituj të Ligës së Kampionëve.
Megjithatë, para se të finalizohet transferimi te Getafe, lojtari duhet t’i nënshtrohet testeve mjekësore. Klubi dëshiron të vlerësojë gjendjen e gjurit të djathtë të Carvajalit, i cili ka qenë problem për mbrojtësin gjatë viteve të fundit.
Në tetor të vitit 2024, Carvajal pësoi një dëmtim të rëndë në atë gju, ndërsa problemet fizike ndikuan në vazhdimësinë e tij gjatë periudhës së fundit te Real Madridi.
Vetë klubi madrilen e përmendi dëmtimin e rëndë të gjurit në ceremoninë e lamtumirës për kapitenin.
Nëse marrëveshja realizohet, Carvajal do të qëndronte në Madrid dhe do t’i bashkohej një skuadre që po kërkon përforcime në tregun e lojtarëve të lirë.
Getafe gjithashtu ka në program pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës, çka do t’i jepte Carvajalit mundësinë të rikthehej në futbollin evropian./Telegrafi/





