Qeveria e Norvegjisë ka njoftuar se planifikon të propozojë një ndalim të përkohshëm të përdorimit të syzeve me inteligjencë artificiale (AI) në disa hapësira publike, për shkak të shqetësimeve se njerëzit mund të fotografohen, filmohen ose regjistrohen pa dijeninë e tyre.
Nisma vjen në një kohë kur syzet inteligjente të pajisura me kamera po përballen me reagime në vende të ndryshme për shkak të shqetësimeve lidhur me privatësinë.

Sipas qeverisë, ndalimi mund të zbatohet në vende ku mblidhen rregullisht qytetarë, si parqet, plazhet, muzetë, qendrat tregtare dhe aktivitetet publike, transmeton Telegrafi.
“Nuk jam i qetë për faktin se teknologji të reja dhe të fuqishme po futen në përdorim në një kohë kur njerëzit rrezikojnë të fotografohen, filmohen ose regjistrohen pa e ditur”, tha ministri norvegjez për Digjitalizimin dhe Qeverisjen Publike, Torgeir Micaelsen.
Masa mund të shtrihet edhe në shkolla, kënde lojërash dhe qendra rinore, si dhe në hapësira ku privatësia është veçanërisht e ndjeshme, përfshirë ordinancat e mjekëve, pishinat dhe palestrat me dhoma zhveshjeje.
Qeveria theksoi se nuk po shqyrton një ndalim të përgjithshëm. Përdorimi privat dhe rastet kur personat e tjerë nuk rrezikojnë të regjistrohen pa pëlqim do të lejohen.
Ende nuk është përcaktuar saktësisht se cilat pajisje do të përfshihen. Qeveria do të shqyrtojë nëse ndalimi duhet të vlejë për syzet me kamera dhe regjistrim audio, syzet me kamera dhe funksione AI, apo edhe për pajisje të tjera të veshshme që mund të fotografojnë, regjistrojnë zë ose përdorin inteligjencën artificiale.
Qeveria pakicë e Norvegjisë tha se synon ta paraqesë projektligjin në parlament sa më shpejt të jetë e mundur. Paralelisht, do të krijohet edhe një grup ekspertësh që do të këshillojë autoritetet për rregullimin afatgjatë të teknologjive të veshshme në vend. /Telegrafi/





