Ish-presidentja, Vjosa Osmani ka vlerësuar kontributin e këngëtares Dua Lipa në promovimin e vendit përmes muzikës dhe organizimit të Sunny Hill Festival.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Osmani ka thënë se Dua Lipa ka bërë më shumë sesa ta vendosë Kosovën në hartën botërore, duke bërë që njerëz nga e gjithë bota të lidhen me vendin përmes festivalit dhe muzikës së saj.

“Disa njerëz e vendosin Kosovën në hartë. Të tjerë bëjnë që bota të dashurohet me të. Dua Lipa i ka bërë të dyja”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka theksuar se përmes Sunny Hill Festival, Dua Lipa ka sjellë vizitorë nga vende të ndryshme të botës në Prishtinë dhe i ka dhënë Kosovës një skenë të veçantë ndërkombëtare.
“Përmes muzikës së saj, zërit të saj dhe dashurisë së palëkundur për vendlindjen, ajo mbart shpirtin e Kosovës te miliona njerëz në mbarë botën”, është shprehur presidentja.
Osmani ka falënderuar Dua Lipën për ndikimin që ka pasur te të rinjtë dhe për mënyrën se si ka ndihmuar në krijimin e një imazhi pozitiv për Kosovën.
“Ke treguar se Kosova nuk është vetëm një vend në hartë. Është një vend me zemër, zë dhe ëndërr”, ka shkruar Vjosa Osmani, duke shoqëruar mesazhin me flamurin e Kosovës dhe fotografi nga Sunny Hill Festival. /Telegrafi/





