Pembrolizumabi është një medikament i grupit të imunoterapive që përdoret në trajtimin e disa llojeve të kancerit.
Ai vepron duke bllokuar receptorin PD-1 dhe ndihmon sistemin imunitar që të njohë dhe të luftojë qelizat tumorale.
Medikamenti përdoret në raste të caktuara për trajtimin e disa llojeve të kancerit, përfshirë melanomën, kancerin e mushkërive me qeliza jo të vogla, kancerin e veshkave, fshikëzës urinare dhe disa tumore të tjera.
Në rastet kur përdorimi i tij është i përshtatshëm sipas indikacioneve mjekësore, pembrolizumabi ka treguar efektivitet në trajtimin e disa llojeve të kancerit, megjithëse përgjigjja ndaj terapisë ndryshon nga pacienti në pacient.

Përdorimi i tij varet nga diagnoza, faza e sëmundjes por edhe nga karakteristikat e tumorit dhe gjendja e pacientit.
Në Kosovë, Pembrolizumabi është përdorur dhe vazhdon të përdoret në Klinikën e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Raporti i punës së SHSKUK-së për vitin 2024 e rendit Pembrolizumabin ndër produktet imunoterapeutike të siguruara për Klinikën e Onkologjisë, së bashku me Nivolumabin.
Edhe dokumentet e Ministrisë së Shëndetësisë e përfshijnë pembrolizumabin në terapitë e përcaktuara për disa indikacione onkologjike.
Në listën e stokut për Klinikën e Onkologjisë, të publikuar në faqen e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës më 3 shkurt, gjendja për këtë terapi rezultonte 66 copë.
Ndërkaq në stokun e publikuar në javën e parë të këtij muaji, gjendja për këtë terapi rezultonte 41 copë, ndërkaq aktualisht stoku i ShSKUK-së nuk është i përditësuar.
Pembrolizumabi nuk përdoret te të gjithë pacientët me kancer. Vendimi për trajtimin me këtë medikament merret nga mjekët specialistë, duke u bazuar në llojin e tumorit, stadin e sëmundjes, analizat dhe karakteristikat biologjike të tumorit.
Si çdo trajtim imunoterapeutik, edhe Pembrolizumabi mund të shoqërohet me efekte anësore.
Meqë vepron duke aktivizuar sistemin imunitar, në disa raste mund të shkaktojë reaksione inflamatore që prekin organe të ndryshme. Për këtë arsye, pacientët që marrin këtë terapi monitorohen nga ekipet mjekësore.
Pembrolizumabi është pjesë e qasjeve moderne të imunoterapisë në onkologji, ndërsa përdorimi i tij përcaktohet individualisht për secilin pacient dhe sipas indikacioneve të përcaktuara mjekësore. /Telegrafi/
Sasia e Pembrolizumabit në stokun e ShSKUK-së në javën e parë të shtatorit





