Në vitin 2022, pak para fillimit të Kupës së Botës në Katar, emri i Jude Bellingham ishte ndër më të përfolurit në botën e futbollit.
Në atë kohë, ndoshta dukej paksa e guximshme të thuhej se ai do të bëhej një nga lojtarët më të mirë të gjeneratës së tij. 19-vjeçari anglez ishte ende në fazën kur po i tregonte botës se, pavarësisht moshës së re, ishte gati të merrte skenën kryesore në turneun më të madh të futbollit. Por në vitin 2026 nuk ka më asgjë për të provuar.
Anglia do të përballet me Argjentinën në gjysmëfinalen e Kupës së Botës, në kërkim të një vendi në finale – një sukses që “Tre Luanët” nuk e kanë arritur prej 60 vitesh. Dhe mbi të gjitha, kjo arritje ka ardhur falë paraqitjeve të jashtëzakonshme të Bellinghamit.
Një gol ndaj Kroacisë në fazën e grupeve, një gol dhe një asistim në fitoren ndaj Panamasë, një dopietë vendimtare kundër Meksikës në fazën e 1/8-ës dhe dy gola të tjerë në çerekfinale ndaj Norvegjisë – Jude praktikisht e ka udhëhequr i vetëm Anglinë drejt gjysmëfinales së Botërorit.
Në këtë turne, ai është lojtari më i mirë i Anglisë për gola të shënuar (gjashtë), efikasitet në finalizim (35 për qind), tejkalim të pritshmërive të golave (xG +3.5), prekje në zonën kundërshtare (34), faulle të fituara (12), sprintet (328) dhe lëvizjet për të marrë pasime (431).
Statistikat, sidomos ato që nuk bien menjëherë në sy, tregojnë më së miri ndikimin e një lojtari në një ndeshje, turne apo sezon. Dhe Bellingham nuk ka pasur kurrë probleme në këtë aspekt.
Megjithatë, kur flitet për Jude Bellinghamin, statistikat pothuajse duken të panevojshme.
Ajo që mahnit më shumë në historinë e tij është shpejtësia me të cilën bota është mësuar me sukseset e tij.
Ai sapo ka mbushur 23 vjeç, por tashmë ka fituar çmimin “Golden Boy”, ka ngritur trofeun e Ligës së Kampionëve, ka fituar pesë trofe me Real Madridin dhe më herët kishte triumfuar edhe në Kupën e Gjermanisë me Borussia Dortmundin.
Kudo që shfaqet Jude, ai sjell me vete ambicie, autoritet, standarde të larta, perfeksionizëm dhe një besim të jashtëzakonshëm në fitore. Një lloj aureole që e rrethon çdo paraqitje të tij.
Një mesfushor që po ndryshon historinë
Së pari, Bellingham është një futbollist me cilësi të jashtëzakonshme.
Sot duket sikur, kur flitet për mesfushorin më të mirë anglez të shekullit XXI, emrat e Steven Gerrard, Frank Lampard dhe Paul Scholes nuk përmenden më automatikisht përpara tij.
Në moshën 23-vjeçare, me paraqitjet e tij spektakolare, Jude tashmë ka kaluar shumë prej paraardhësve të tij.
Dhe pa ekzagjerim mund të thuhet se, në vitet e ardhshme, emri i tij mund të vendoset në të njëjtin nivel me legjenda si Luka Modric, Xavi, Andres Iniesta apo edhe Zinedine Zidane.
Një pretendim i madh? Ndoshta. Por ndoshta edhe një parashikim që mund të duket krejt normal në vitin 2030.
Bellingham, marka e re globale e futbollit
Përtej fushës, Jude është shndërruar edhe në një fenomen jashtë saj.
Ai është një nga figurat kryesore të adidas, fytyra e Louis Vuitton dhe protagonist në kopertinat e lojërave të EA Sports.
Me mënyrën se si ka ndërtuar imazhin e tij, shumëkush e sheh si një version modern të David Beckhamit.
Por ndryshe nga Beckham, Bellingham po e ndërton këtë epokë pa pasur nevojë për një figurë të famshme përkrah tij.
Dhe shtrohet pyetja: a do të ishte vërtet befasi nëse ai do të merrte titullin kalorësi nga Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar më herët se Beckham?
Nga Birminghami te historia e futbollit botëror
Në moshën 17-vjeçare, Birmingham City e shiti për rreth 25 milionë euro dhe më pas tërhoqi fanellën me numrin 22, të cilën ai e kishte mbajtur vetëm për një sezon.
Në moshën 18-vjeçare, u realizua një mini-seri për ngritjen e tij të jashtëzakonshme, ndërsa fëmijë në mbarë botën nisën të festonin golat duke imituar gjestin e tij karakteristik.
Në moshën 19-vjeçare, ai u transferua për më shumë se 100 milionë euro.
Dhe në moshën 23-vjeçare, Jude Bellingham tashmë është bërë legjendë – jo vetëm e Birminghamit, Borussia Dortmundit, Real Madridit apo kombëtares së Anglisë.
Ai është kthyer në një legjendë të futbollit botëror. /Telegrafi/






