Hetimi për vdekjen e këngëtarit grek Giorgos Mazonakis ka marrë një tjetër zhvillim.
Mjeku 58-vjeçar, në klinikën private të të cilit këngëtari humbi jetën, dhe bashkëshortja e tij, gjithashtu mjeke, janë dërguar në paraburgim nën akuzën për vrasje të qëllimshme përmes mosveprimit.
Vendimi u mor pas rreth 18 orësh marrje në pyetje lidhur me rrethanat e vdekjes së Mazonakis.
Këngëtari pësoi kolaps gjatë një procedure plazmafereze në klinikën e çiftit në Kolonaki.
Sipas mediave greke, mjeku ka reaguar ashpër ndaj vendimit dhe ka deklaruar se do të nisë grevë urie në shenjë proteste.
Ai dhe bashkëshortja e tij i mohojnë akuzat dhe këmbëngulin se nuk kanë përgjegjësi për vdekjen e artistit.
Gjatë marrjes në pyetje, bashkëshortja e mjekut është ndjerë keq dhe ka qenë pranë të fikëtit.
Për këtë arsye, seanca është ndërprerë përkohësisht, derisa më vonë në ambientet e gjykatës ka mbërritur edhe një ambulancë.
Sipas raportimeve, mjekja refuzoi ndihmën pasi ekipet e emergjencës nuk konstatuan një problem të menjëhershëm shëndetësor.
Mbrojtja e çiftit ka kundërshtuar versionin e akuzës dhe ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si u krye ndërhyrja emergjente pas kolapsit të Mazonakis.
Sipas tyre, ambulanca kishte mbërritur në klinikë pa barelë, derisa gjatë transportimit të këngëtarit mund të jetë ndërprerë reanimimi.
Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu pajisjet e plazmaferezës që janë sekuestruar në klinikë.
Mjekët pretendojnë se pajisjet ishin të ligjshme dhe se dispononin dokumentet përkatëse të blerjes dhe deklarimit pranë autoriteteve mjekësore.
Autoritetet po analizojnë të gjithë dinamikën e ngjarjes, përfshirë procedurën mjekësore, momentin kur Mazonakis pësoi kolaps, funksionimin e pajisjeve dhe reagimin e stafit pas përkeqësimit të gjendjes së tij.
Në kuadër të hetimit po shqyrtohen edhe të dhënat e marra nga klinika dhe pajisjet elektronike të mjekëve.
Mjeku dhe bashkëshortja e tij vazhdojnë të mohojnë akuzat.
Çështja mbetet nën hetim gjyqësor dhe përgjegjësia penale e tyre nuk është përcaktuar ende me një vendim përfundimtar të gjykatës. /Telegrafi/






