Një turist holandez dhe dy fëmijët e tij të mitur janë shpëtuar pas një operacioni rreth katërorësh kërkim-shpëtimi, pasi mbetën të bllokuar në një zonë të thepisur të Kanioneve të Gjipesë.
Sipas Policisë së Shtetit, operacioni u zhvillua mbrëmjen e së martës nga shërbimet e Stacionit të Policisë Dhërmi, në bashkëpunim me Repartin Special “Delta Forcë”.
Pas marrjes së njoftimit nga turisti se ai dhe dy fëmijët e tij kishin mbetur të izoluar, u organizua menjëherë ndërhyrja.
Për rreth katër orë, efektivët zhvilluan kërkime intensive në kushte errësire dhe në një terren tepër të vështirë, duke arritur t’i lokalizojnë dhe t’i evakuojnë pa lëndime.
Pas nxjerrjes nga zona e rrezikshme, turisti dhe dy fëmijët morën ndihmën e parë mjekësore dhe rezultuan në gjendje të mirë shëndetësore.
Turisti holandez falënderoi efektivët e Policisë për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë operacionit.
“Dua t’u them të gjithëve se sonte jemi jashtëzakonisht mirënjohës ndaj Policisë lokale, e cila na shpëtoi nga vendi ku kishim mbetur të bllokuar. Ishte një zonë shumë e rrezikshme, sidomos gjatë natës. Këta tre efektivë janë heronj”, u shpreh ai.
Policia e Shtetit theksoi se mbetet e angazhuar për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe turistëve në çdo rast emergjence, duke garantuar reagim të shpejtë dhe profesional. /Telegrafi/






