Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, priti sot në takim lamtumirës Këshilltarin e Mbrojtjes për FSK-në dhe ushtruesin e detyrës së Atasheut të Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, nënkolonel Mike Butler.
Gjatë takimit, gjeneral Jashari e falënderoi nënkolonelin Butler për angazhimin e deritanishëm në të dyja detyrat, duke vlerësuar lartë bashkëpunimin dhe përkushtimin e tij në mbështetje të zhvillimit të FSK-së.

Sipas njoftimit, në takim u diskutua edhe për objektivat e komandantit të FSK-së lidhur me zhvillimin e forcës, si dhe për planet bilaterale me Mbretërinë e Bashkuar, të cilat përfshijnë trajnime, stërvitje, pajisje dhe aktivitete të tjera të përbashkëta.
Nga ana e tij, nënkolonel Butler e përgëzoi gjeneral Jasharin për avancimin e FSK-së dhe për profesionalizmin e personelit, duke theksuar se kjo po reflektohet në aktivitetet e ndryshme ku FSK merr pjesë. Ai po ashtu e falënderoi komandantin për mbështetjen dhe bashkëpunimin gjatë periudhës së shërbimit në Kosovë.
Në përmbyllje, palët u pajtuan për nevojën e avancimit të mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Republikës së Kosovës, me fokus në zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve ushtarake të FSK-së, në funksion të përmbushjes së misionit të saj.
Për kontributin e tij gjatë shërbimit në Kosovë, gjenerallejtënant Jashari e dekoroi nënkolonelin Butler me Medaljen “Shërbim Vetëmohues”, e cila u ndahet personaliteteve për shërbim të veçantë në zhvillimin dhe avancimin e FSK-së.





