Sputnik manipulon me pamjet nga Kosova për të promovuar propagandën e Beogradit në Nju Jork

Nacionale

Pamje nga ngjarje të ndodhura para më shumë se dy dekadash, incidente të viteve të fundit dhe zhvillime të sotme janë bashkuar në një montazh të vetëm për ta paraqitur Kosovën si një vend ku serbët jetojnë vazhdimisht nën kërcënim. Kjo është narrativa që po promovohet në rrugët e Nju Jorkut nga një fushatë e […]

Madhësia e shkronjave

Pamje nga ngjarje të ndodhura para më shumë se dy dekadash, incidente të viteve të fundit dhe zhvillime të sotme janë bashkuar në një montazh të vetëm për ta paraqitur Kosovën si një vend ku serbët jetojnë vazhdimisht nën kërcënim.

Kjo është narrativa që po promovohet në rrugët e Nju Jorkut nga një fushatë e diasporës serbe, ndërsa Sputnik, RTS dhe media të tjera serbe po e amplifikojnë atë pikërisht gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Kamionë me ekrane të mëdha po shfaqin në Times Square pamje nga trazirat e marsit 2004, incidente të vitit 2023, protesta të vitit 2026 dhe raste të ndalimit të serbëve.

Të gjitha vendosen pranë njëra-tjetrës dhe prezantohen nën narrativën e “jetës së vështirë të serbëve në Kosovë”.

Manipulimi qëndron pikërisht te konteksti.

Ngjarje të ndodhura në vite, rrethana dhe realitete të ndryshme politike paketohen si një histori e vetme, duke krijuar përshtypjen se pamjet përfaqësojnë një realitet të pandryshuar dhe të vazhdueshëm në Kosovë.

Nuk ofrohet një pasqyrë e plotë e situatës aktuale dhe as të dhëna që do të demonstronin se episodet e përzgjedhura janë përfaqësuese për jetën e përgjithshme të komunitetit serb. Në vend të kësaj, incidente të veçuara përdoren për të ndërtuar një mesazh emocional të destinuar për audiencën ndërkombëtare.

Sputnik dhe media të tjera e amplifikojnë këtë kornizim duke i paraqitur materialet si pamje të “jetës së serbëve”, pa e theksuar sa duhet se bëhet fjalë për përmbajtje të përzgjedhur nga organizatorët e fushatës.

Edhe pretendimi se aksioni është vetëm “humanitar” dhe “patriotik” përplaset me objektivin e deklaruar të organizatorëve.

Ata kanë thënë se synojnë pikërisht zyrtarët dhe përfaqësuesit shtetërorë që ndodhen në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Pra, Times Square nuk është zgjedhur rastësisht për të zhvilluar propagandën.

Përmes pamjeve të përzgjedhura, heqjes së kontekstit dhe përsëritjes së të njëjtit mesazh në media, fushata synon të ndikojë mënyrën se si audienca ndërkombëtare e percepton Kosovën./TheGeoPost/