Sulmuesi Milot Avdyli thotë se është ndjenjë krejtësisht ndryshe ta përfaqësosh Kosovën.
Avdyli që ka kaluar tërë gjeneratat e “Dardanëve” mori ftesën e parë nën urdhrat e Franco Fodas për katër ndeshjet e Ligës së Kombeve.
Ai për faqen zyrtare të FFK-së deklaroi se është gati për ta dëshmuar vetën.
“Kam qenë në të gjitha gjeneratat. Normal është një ndjenjë e papërshkrueshme me luajt për kombëtaren A, krejtësisht ndryshe. Shpresoj që kam me tregu vetën dhe kemi me zhvillu katër ndeshje shumë të mira”.
Ndër të tjera, Avdyli deklaroi se e kanë mirëpritur për mrekulli dhe kanë për objektiv të fitojnë ndeshjet.
“Mirëpritja ka qenë mjaftë e mirë, ka shumë futbollistë që kam luajtur përpara me ta, por edhe futbollistët që kanë me më shumë eksperiencë më kanë pritur shumë mirë, si mua ashtu edhe dy futbollistë e tjerë, kështu që jemi shumë të lumtur”.
“Besoj që kemi me pas rezultate pozitive, tu e pas parasysh çfarë ekipi kemi. Kemi lojtarë të rinj dhe me eksperiencë që munden me bo dallimin dhe shpresoj që mund t’i fitojmë ndeshjet”.
Ndërkohë, Kosova do të zhvillojë edhe dy stërvitje tjera të mërkurën para se të luajë me Irlandën këtë të enjte nga ora 20:45 në “Fadil Vokrri”./Telegrafi/






