Sinkopa – kur humbja e vetëdijes mund të jetë sinjal i një sëmundjeje të zemrës

shendetesi

Humbja e vetëdijes nuk është gjithmonë e padëmshme. Kur shfaqet papritur, gjatë aktivitetit fizik ose shoqërohet me rrahje të çrregullta të zemrës, mund të sinjalizojë një problem serioz kardiak që kërkon vlerësim të menjëhershëm Dr. Hajdin Çitaku,KardiologTel. 044 430 834 Shumë njerëz përjetojnë të paktën një herë në jetë humbje të vetëdijes, e cila në […]

Madhësia e shkronjave

Humbja e vetëdijes nuk është gjithmonë e padëmshme. Kur shfaqet papritur, gjatë aktivitetit fizik ose shoqërohet me rrahje të çrregullta të zemrës, mund të sinjalizojë një problem serioz kardiak që kërkon vlerësim të menjëhershëm

Dr. Hajdin Çitaku,KardiologTel. 044 430 834

Shumë njerëz përjetojnë të paktën një herë në jetë humbje të vetëdijes, e cila në mjekësi njihet si sinkopë.

Në shumicën e rasteve, ajo lidhet me lodhjen, dehidrimin, temperaturat e larta, emocionet e forta ose qëndrimin e zgjatur në këmbë. Megjithatë, në raste të caktuara, mund të jetë sinjali i parë i një sëmundjeje të zemrës, e cila kërkon diagnostikim dhe trajtim të menjëhershëm.

Sinkopa me origjinë kardiake është ndër format më serioze të humbjes së vetëdijes. Ajo mund të shkaktohet nga aritmitë, bllokimet e sistemit elektrik të zemrës ose sëmundjet strukturore të saj. Kur zemra nuk arrin të pompojë sasi të mjaftueshme gjaku drejt trurit, pacienti mund të humbasë vetëdijen, shpesh pa asnjë paralajmërim.

Sinkopa nuk duhet të neglizhohet nëse ndodh papritur ose gjatë aktivitetit fizik, nëse shoqërohet me rrahje të çrregullta të zemrës, dhimbje gjoksi apo gulçim, nëse përsëritet disa herë ose nëse ekziston histori familjare e vdekjes së papritur kardiake. Në këto raste nevojitet një vlerësim i plotë nga kardiologu.

Vlerësimi fillon me elektrokardiogramin (EKG), ekokardiografinë, analizat laboratorike dhe monitorimin me Holter. Kur episodet janë të rralla dhe ekzaminimet standarde nuk arrijnë ta zbulojnë shkakun, një nga metodat më bashkëkohore diagnostikuese është regjistruesi kardiak i implantueshëm, i njohur si Implantable Loop Recorder (ILR).

Kjo pajisje e vogël vendoset nën lëkurë me anestezi lokale dhe monitoron ritmin e zemrës për disa vjet, duke regjistruar automatikisht aritmitë dhe duke i lidhur ato me simptomat e pacientit.

Kur nevojitet studimi elektrofiziologjik?

Kur dyshohet për një çrregullim të sistemit elektrik të zemrës, kryhet studimi elektrofiziologjik (EPS).

Nëpërmjet kateterëve të hollë, të futur përmes një vene në ijë, regjistrohet aktiviteti elektrik i zemrës. Kur është e nevojshme, zemra stimulohet në mënyrë të kontrolluar për të zbuluar aritmi që nuk shfaqen gjatë ekzaminimeve rutinore.

Procedura kryhet me anestezi lokale, është minimalisht invazive dhe zakonisht zgjat nga 30 deri në 90 minuta.

Kur diagnoza dhe trajtimi bëhen njëkohësisht

Një nga përparësitë më të mëdha të elektrofiziologjisë është se, në shumë raste, diagnoza dhe trajtimi realizohen gjatë së njëjtës procedurë.

Nëse identifikohet një aritmi e trajtueshme, mund të kryhet ablacioni. Nëse diagnostikohet një bllokim i rëndë i sistemit elektrik të zemrës, mund të vendoset stimuluesi kardiak (pacemaker).

Pacientët me rrezik të lartë për aritmi kërcënuese për jetën mund të kenë nevojë për defibrilator të implantueshëm (ICD), i cili monitoron ritmin e zemrës dhe ndërhyn automatikisht kur shfaqet një aritmi e rrezikshme.

Jo çdo pacient me sinkopë ka nevojë për ILR ose EPS. Zgjedhja e metodës diagnostikuese varet nga simptomat, mosha, sëmundjet shoqëruese dhe vlerësimi i kardiologut.

Megjithatë, humbja e vetëdijes nuk duhet të konsiderohet normale kur përsëritet ose ndodh pa një shkak të qartë. Diagnostikimi në kohë mund të parandalojë komplikime serioze dhe, në disa raste, edhe vdekjen e papritur kardiake.

Kur duhet të konsultoheni menjëherë me kardiologun?

Kujdesi ndaj zemrës fillon duke i dëgjuar sinjalet që ajo na dërgon. Një konsultë në kohë me kardiologun mund të bëjë dallimin ndërmjet një diagnoze të vonuar dhe parandalimit të një ngjarjeje serioze. /Telegrafi/