Shorter shpërthen në fund, Bashkimi përmbys Pejën dhe vazhdon në krye

Sport

Bashkimi ka shënuar fitore të rëndësishme ndaj Pejës me rezultat 82:77, në kryendeshjen e xhiros së gjashtë të Superligës së Kosovës në basketboll. Shanon Shorter ishte vendimtar në fund të ndeshjes, duke realizuar tetë pikë radhazi dhe duke ia siguruar skuadrës prizrenase fitoren pas dy humbjeve rresht. Peja ishte në epërsi gjatë pjesës më të […]

Madhësia e shkronjave

Bashkimi ka shënuar fitore të rëndësishme ndaj Pejës me rezultat 82:77, në kryendeshjen e xhiros së gjashtë të Superligës së Kosovës në basketboll.

Shanon Shorter ishte vendimtar në fund të ndeshjes, duke realizuar tetë pikë radhazi dhe duke ia siguruar skuadrës prizrenase fitoren pas dy humbjeve rresht.

Peja ishte në epërsi gjatë pjesës më të madhe të takimit dhe dukej se do të largohej nga Prizreni me fitore. Megjithatë, minutat e fundit i takuan plotësisht vendasve, të cilët bënë një përmbysje të madhe në palestrën “Sezai Surroi”.

Dy minuta e 49 sekonda para fundit, Peja kryesonte me rezultatin 77:69. Shorter fillimisht shënoi për 77:71, ndërsa Lejson Zeqiri ngushtoi diferencën në 77:72. Më pas, Shorter realizoi sërish për 77:74, duke rikthyer shpresat e Bashkimit.

Peja dështoi në disa sulme radhazi, ndërsa Shorter shfrytëzoi momentin për të barazuar rezultatin në 77:77, një minutë e 17 sekonda para fundit. Vetëm 41 sekonda para përfundimit, ai shënoi edhe një treshe vendimtare për epërsinë 80:77. Peja humbi një tjetër aksion, ndërsa Arian Azemi realizoi për 82:77, duke vulosur fitoren e Bashkimit.

Shorter ishte basketbollisti më i dalluar i ndeshjes me 27 pikë. Arian Azemi kontribuoi me shtatë pikë, shtatë kërcime dhe gjashtë asistime, ndërsa Gian Clavell e përfundoi takimin me 15 pikë dhe katër asistime.

Te Peja, paraqitja e shkëlqyer e Dwight Wilsonit, i cili regjistroi 27 pikë dhe 16 kërcime, nuk mjaftoi për të shmangur humbjen. Xavier Johnson shtoi 11 pikë dhe gjashtë kërcime, ndërsa Altin Morina realizoi 13 pikë.

Me këtë fitore, Bashkimi vazhdon të kryesojë Superligën me 11 pikë, pas pesë fitoreve dhe një humbjeje. Në anën tjetër, Peja pësoi humbjen e pestë radhazi dhe mbetet me tetë pikë, pas dy fitoreve në gjashtë ndeshje. /Telegrafi/

Komentet