Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka dënuar sot aktet e dhunës gjatë protestave në Shqipëri, duke thënë se sulmet ndaj institucioneve dhe shkatërrimi i pronës publike e private nuk lidhen me të drejtën për të protestuar.
Peleshi tha në një postim në Facebook se të rinjtë kanë të drejtë të kërkojnë më shumë të drejta dhe të ëndërrojnë një të ardhme të barabartë me bashkëmoshatarët e tyre në BE, por dhuna nuk është rruga për të adresuar kërkesat dhe shqetësimet e qytetarëve.
“Sulmet ndaj institucioneve, djegia dhe shkatërrimi i pronës nuk kanë të bëjnë as me studentët, as me të drejtën e tyre për të protestuar”, shkruan Peleshi teksa ka publikuar deklaratën e Komisionit Evropian lidhur me protestat që po zhvillohen prej gjashtë ditësh në Tiranë.
Peleshi bëri thirrje për dialog dhe dëgjim të ndërsjellë mes palëve.
“Le të ulemi me njëri-tjetrin. Pa paragjykim, pa mllef. Çdo orë që kalon e bën më të vështirë dialogun”, shprehet kryetari i Kuvendit, duke nënvizuar se edhe kur palët nuk bien dakord, komunikimi duhet të vijojë.
Peleshi e mbyll mesazhin me një apel për bashkim dhe bashkëpunim në interes të vendit.
“T’i japim dorën njëri-tjetrit sot! Jemi për një qëllim. Për Shqipërinë”. /Telegrafi/






