Sopranoja e njohur shqiptare, Inva Mula, ka reaguar përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale lidhur me situatën në Shqipëri, duke u bërë thirrje intelektualëve, artistëve dhe qytetarëve që të mos heshtin.
Në reagimin e saj, Mula i është referuar letrës së famshme “J’accuse!” (“Unë akuzoj!”), të shkrimtarit francez Emile Zola, të publikuar në vitin 1898, përmes së cilës denoncoi një padrejtësi historike dhe refuzoi të qëndronte i heshtur.
Duke e lidhur këtë shembull me situatën aktuale, sopranoja ka përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë, duke kërkuar që zërat publikë të mos qëndrojnë indiferentë.
Foto: Instagram
“Në frymën e kësaj thirrjeje historike, le të mos heshtim”, shkruan ajo në postimin e saj.
Mula u është drejtuar intelektualëve, artistëve dhe qytetarëve, duke i ftuar të reagojnë dhe të mos e shtyjnë më tej qëndrimin e tyre përballë zhvillimeve në vend.
“Intelektualë, artistë, prindër, motra e vëllezër, ju lutem, reagoni! Nesër është vonë!”, përfundon mesazhi i saj, të cilin e ka shoqëruar me flamurin shqiptar dhe simbole lutjeje.
Ndërkohë që në Shqipëri po mbahet dita e gjashtë e protestës së studentëve, mesazhi i Inva i bashkohet zërave që kërkojnë reagim dhe qëndrim përballë zhvillimeve në vend. /Telegrafi/
Foto: Instagram






