Vdes aktori nga Ferizaj, Nexhat Xhokli

Magazina

Aktori dhe ish-gazetari nga Ferizaj, Nexhat Xhokli, ka ndërruar jetë sot (e diel) më 25 tetor 2026, duke lënë pas një kontribut të çmuar në art, kulturë dhe gazetari. Lajmin për ndarjen e tij nga jeta e ka bërë të ditur i biri përmes një postimi në Facebook. “Me dhimbje të thellë, ju njoftojmë se […]

Madhësia e shkronjave

Aktori dhe ish-gazetari nga Ferizaj, Nexhat Xhokli, ka ndërruar jetë sot (e diel) më 25 tetor 2026, duke lënë pas një kontribut të çmuar në art, kulturë dhe gazetari.

Lajmin për ndarjen e tij nga jeta e ka bërë të ditur i biri përmes një postimi në Facebook.

“Me dhimbje të thellë, ju njoftojmë se sonte babai ynë i dashur u nda nga jeta, duke na lënë me zemër të thyer përgjithmonë”, ka shkruar ai në këtë njoftim prekës.

Në fund të mesazhit, i biri i është drejtuar të atit me fjalë të ndjera, duke shprehur se do t’u mungojë shumë.

Ndërkaq, ceremonia e varrimit do të mbahet të hënën, më 26 tetor, në orën 15:00, në Varrezat e Reja të qytetit të Ferizajt.

Xhokli ishte një figurë e njohur e jetës kulturore në Ferizaj, ku la gjurmë përmes angazhimit të tij në Teatrin “Adriana” dhe projekteve të ndryshme artistike.

Ai u bë i njohur për publikun edhe përmes rolit të Doktor Limanit në serialin “Rrushe” si dhe pjesëmarrjes në filmin “Zgjoi”, i cili u përzgjodh nga Kosova për garën e çmimeve Oscar.

Përveç aktrimit, Xhokli ndërtoi një rrugëtim të gjatë edhe në gazetari.Kontributi i tij në jetën publike dhe kulturore të qytetit u vlerësua edhe me titullin “Nderi i Qytetit të Ferizajt”.

Lajmi për vdekjen e ka pikëlluar komunitetin artistik dhe bashkëpunëtorët, ndërsa kolegë dhe institucione kanë shprehur ngushëllime për familjen.

Ndarja nga jeta e Nexhat Xhoklit shënon humbjen e një artisti dhe gazetari që i shërbeu për shumë vite qytetit të tij, duke lënë pas kujtime nga puna në skenë dhe në media. /Telegrafi/

Komentet