Robert Downey Jr. pyetet mbi idenë se a mendon që influencuesit e rrjeteve sociale do jenë yjet e së ardhmes: Janë thjesht jashtëqitje

Magazina

Robert Downey Jr. e ka hedhur poshtë idenë se influencuesit e rrjeteve sociale do të jenë yjet e së ardhmes, duke e quajtur këtë pretendim “budallallëk”. Ai theksoi se njohja e vërtetë duhet të ndërtohet mbi atë që një njeri bën dhe krijon, jo thjesht mbi praninë në internet, shkruan Page Six. Downey Jr. tha […]

Madhësia e shkronjave

Robert Downey Jr. e ka hedhur poshtë idenë se influencuesit e rrjeteve sociale do të jenë yjet e së ardhmes, duke e quajtur këtë pretendim “budallallëk”. Ai theksoi se njohja e vërtetë duhet të ndërtohet mbi atë që një njeri bën dhe krijon, jo thjesht mbi praninë në internet, shkruan Page Six.

Downey Jr. tha se fama e fituar online nuk është domosdoshmërisht diçka e keqe, por se ajo po e ndryshon mënyrën se si njerëzit sot përpiqen të dallohen. Gjatë një paraqitjeje në emisionin “Conversations for our Daughters”, ai foli për ndikimin e teknologjisë.

“Sot, njerëzit mund të bëhen të famshëm pa bërë shumë, përveçse të filmojnë veten me telefon”, u shpreh ai. “Nuk e shoh si diçka negative. Thjesht e shoh si një sfidë më të madhe për të ruajtur dhe shprehur individualitetin”.

Ylli i “Iron Man” tha se shpreson që të rinjtë do të zgjedhin të mësojnë dhe të ndërtojnë diçka reale, në vend të ndjekjes së vëmendjes në internet.

“Shpresoj që shumica e të rinjve – ta zëmë në Amerikë, që të jemi konkretë – të thonë: ‘Po, por kjo nuk është për mua. Unë dua të bëj diçka, dua të krijoj diçka, dua të ndërtoj diçka, dua të edukohem dhe të kem më shumë njohuri, që ajo që ofroj në fund të mos jetë thjesht një lloj vetëlartësimi influencersh’”.

Ai shtoi edhe qëndrimin e tij të qartë për të ardhmen e industrisë së argëtimit: “Kur dëgjoj njerëz që thonë: ‘Oh, yjet e së ardhmes do të jenë influencuesit’, më shkon ndërmend: ‘Nuk e di në çfarë bote jetoni, por mendoj se kjo është budallallëk, thjesht jashtëqitje’”.

Downey Jr. u ndal edhe te një pjesë e kulturës së influencuesve që, sipas tij, mund të kthehet në vetëpromovim të mbështetur në zhurmë dhe pompozitet, i paketuar si diçka më “kuptimplote”. Si shembull, ai përmendi djalin e tij 14-vjeçar, i cili, sipas aktorit, ishte tërhequr kohët e fundit nga bota e vëmendjes online dhe kultura e influencuesve.

“Ai disi u fut në gjithë atë historinë e influencesve dhe papritur u bë: ‘Hej, nëse ju pëlqen si e luaj këtë videolojë, a doni të më dërgoni një donacion?’ Dhe kjo realisht mund të shndërrohet në një lloj feje”, tha aktori.

“Sot te influencuesit e rrjeteve sociale ka diçka pothuajse predikuese, e përshtatur për epokën e informacionit. Në të njëjtën kohë, është gjithçka ndryshe sepse jemi në një terren të ri, ende të pa rregulluar mirë, prandaj nuk kam një gjykim përfundimtar”.

Downey Jr. tha se personalisht përpiqet të mos përfshihet shumë në rrjetet sociale dhe nuk do të lejojë që ato ta “gëlltisin”.

“E di që njerëzit thonë: ‘Robert, njerëzit thjesht e duan kur je spontan dhe kur marrin një copëz të vogël nga jeta jote’. Kurse unë them: ‘Po, por atëherë do të më duhej të prodhoja vazhdimisht një përmbajtje të tillë’”, shpjegoi ai arsyen e rezistencës së tij.

Robert Downey Jr. e nisi karrierën si fëmijë, duke u rritur pranë babait të tij, regjisorit Robert Downey Sr.. U bë i njohur herët me filma si “Less Than Zero”, ndërsa për rolin në “Chaplin” u nominua për Oscar.

Karriera e tij u shënua për vite me radhë nga probleme ligjore dhe beteja me varësinë, por kthesa nisi në fillim të viteve 2000. Roli i Tony Stark në filmat “Iron Man” dhe “Avengers” i solli famë globale. Me projekte si “Sherlock Holmes”, ai e forcoi edhe më tej statusin në Hollywood, ndërsa një nga kulmet e vlerësimeve erdhi me “Oppenheimer”, për të cilin ai fitoi edhe Oscar. /Telegrafi/