Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Saranda Bogujevci, së bashku me zëvendësministren Nora Arapi Krasniqi, u.d. drejtoreshën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, Rrezarta Shaqiri Basha dhe udhëheqësin artistik, Kushtrim Mehmeti, kanë vizituar Teatrin Kombëtar të Kosovës për të parë nga afër ecurinë e punimeve restauruese.
Gjatë vizitës, përfaqësuesit institucionalë u informuan për fazat aktuale të ndërhyrjeve dhe progresin e deritanishëm në objektin e teatrit, ku punimet po zhvillohen me ritëm të mirë.

Sipas njoftimit, restaurimi po realizohet duke ruajtur vlerat arkitekturore dhe historike të këtij institucioni të rëndësishëm për kulturën e vendit, ndërsa paralelisht po punohet edhe në përmirësimin e kushteve për artistët dhe publikun.
Ndërhyrjet synojnë krijimin e një hapësire më funksionale, më dinjitoze dhe më bashkëkohore, në mënyrë që Teatri Kombëtar i Kosovës të ofrojë kushte më të mira për zhvillimin e jetës teatrore dhe organizimin e aktiviteteve kulturore. /Telegrafi/





