Aktorja britanike, Emily Watson, ka folur hapur për fëmijërinë dhe rrugëtimin drejt aktrimit gjatë një Masterclass-i në Festivalin e Filmit në Sarajevë, ku këtë vit është presidente e jurisë së programit garues.
Watson tregoi se është rritur në një komunitet fetar shumë të rreptë, ku ishte e ndaluar të dëgjoje muzikë popullore apo të lexoje libra.
Ajo i bënte këto gjëra fshehurazi dhe e përshkroi aktrimin si diçka që e kishte shpëtuar.
“Aktrimi më shpëtoi”, u shpreh ajo.
Aktorja tregoi se universiteti ishte mënyra e saj për t’u larguar nga ajo organizatë dhe më pas vendosi të ndiqte shkollën e dramës, vendim që fillimisht nuk u prit mirë nga prindërit, edhe pse ata në fund e mbështetën.
Watson foli edhe për rolin e saj në filmin “Breaking the Waves” të Lars von Trier, një film që shkaktoi shumë polemika.
Ajo tha se, pavarësisht paralajmërimeve për të mos e realizuar, vendosi ta pranonte rolin, sepse ndjeu një ‘ndjesi të jashtëzakonshme lirie’.
Gjatë karrierës, Watson ka interpretuar në filma, seriale dhe teatro të shumta dhe është nominuar dy herë për Oscar.
Ajo është vlerësuar edhe me çmime të rëndësishme ndërkombëtare dhe në vitin 2015 u nderua me titullin OBE për kontributin në artet dramatike.
Ndër rolet më të njohura janë ato në: “Breaking the Waves”, “Chernobyl”, “The Theory of Everything”, “Anna Karenina” dhe “Dune: Prophecy”. /Telegrafi/






